
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, ka akuzuar opozitën se po ndjek një strategji të qëllimshme për të bllokuar institucionet dhe për të pamundësuar formimin e Qeverisë Kurti 3.
“Nuk është Albulena as kryetarja e Kuvendit problemi. Ata që na quajnë bllokues gjatë ditës, në mbrëmje pranojnë se synimi i tyre është pengimi i Qeverisë,” ka deklaruar ai.
Sipas Batushës, kjo nuk është çështje procedurale, por një përpjekje e vetëdijshme për të mbrojtur privilegjet e një elite të vjetër të frikësuar nga drejtësia. Ai shton se opozita po e zbulon hapur qëllimin: institucionet të mos funksionojnë nëse nuk i udhëheqin vetë.
Postimi i plotë:
Kur lëshojnë nervat, bien edhe maskat.
Nuk është Albulena problemi. As kryetarja e Kuvendit. Kjo tashmë po del haptazi. Ata që gjatë ditës na quajnë bllokues, në mbrëmje e pranojnë vetë se qëllimi i tyre i vetëm është pamundësimi i Qeverisë Kurti 3.
Ky nuk është mosdakordim procedural, por një strategji e vetëdijshme për të bllokuar vullnetin qytetar dhe për ta mbajtur shtetin peng të një elite të vjetër, të frikësuar nga drejtësia dhe nga humbja e privilegjeve.
Kur thonë se është më mirë bllokada sesa një qeveri e re nga Kurti, e thonë të vërtetën që e kanë mbajtur të fshehur me muaj: nuk duan funksionim të institucioneve nëse nuk janë vetë në krye. E gjithë skena bëhet më e qartë tani – synimi nuk është dialogu institucional, por sabotimi politik.