Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE-SHBA arrijnë marrëveshje tregtare, liderët evropianë shprehin pakënaqësi

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kanë njoftuar një marrëveshje të madhe tregtare që vendos tarifa prej 15% për shumicën e mallrave evropiane të importuara në Shtetet e Bashkuara.

Kjo marrëveshje vjen vetëm disa ditë para afatit të paralajmëruar të Trump të 1 gushtit, kur ai kishte paralajmëruar se do t’i rriste tarifat në 30% nëse nuk arrihej një marrëveshje.

Tarifat e reja të dakordësuara pritet të rrisin kostot për konsumatorët amerikanë që blejnë produkte evropiane dhe mund të ulin fitimet për kompanitë evropiane dhe partnerët e tyre amerikanë të përfshirë në tregti.

Ndërkohë, Associated Press raporton se marrëveshja u prit me pakënaqësi dhe kritika nga disa liderë të shquar evropianë. Kryeministri hungarez Viktor Orbán, një aleat i ngushtë i Presidentit Trump dhe një figurë e përqafuar nga lëvizja MAGA, e dënoi ashpër marrëveshjen. “Edhe në shikim të parë, më është e qartë se kjo nuk është një marrëveshje”, tha Orbán gjatë një diskutimi video me zëdhënësin e partisë së tij.

“Donald Trump hëngri (Presidenten e Komisionit Evropian) Ursula von der Leyen për mëngjes, ja çfarë ndodhi”, tha Orban.

Ai gjithashtu theksoi se një marrëveshje e kohëve të fundit tregtare midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila vendosi një tarifë të sheshtë prej 10% për eksportet e Mbretërisë së Bashkuar, ishte më e favorshme sesa pakti i arritur me BE-në.

Zyrtarët francezë shprehën pakënaqësinë e tyre. Ministri i Tregtisë së Jashtme Laurent Saint-Martin pranoi se, ndërsa marrëveshja ofron “dukshmëri dhe stabilitet” për bizneset e angazhuara në tregtinë transatlantike, ajo “nuk është e balancuar” dhe kërkon punë të mëtejshme, veçanërisht në lidhje me sektorin e shërbimeve.

Komisioneri i Strategjisë Clément Beaune e përshkroi marrëveshjen si të pamjaftueshme për të reflektuar forcën ekonomike të BE-së, duke thënë: “Kur e shikon, gota është një e katërta plot dhe tre të katërtat bosh”.

Kryeministri François Bayrou dha kritika edhe më të ashpra në mediat sociale, duke deklaruar: “Është një ditë e errët kur një aleancë popujsh të lirë, të bashkuar për të mbështetur vlerat dhe për të mbrojtur interesat e tyre, i dorëzohet nënshtrimit.”

Në Spanjë, Kryeministri Pedro Sánchez shprehu mbështetje të kujdesshme për marrëveshjen, por pa entuziazëm.

Ai nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të autonomisë së saj strategjike nga Evropa dhe forcimit të marrëdhënieve tregtare me vendet e tjera, veçanërisht në dritën e paparashikueshmërisë së administratës amerikane./teve1/

 

Tags: