Statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që Serbia i mbështet në Kosovë do të zgjidhet në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Bashkimit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
“Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se do të trajtojë integrimin e strukturave shëndetësore dhe arsimore që mbështeten nga Serbia, në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në, veçanërisht me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha zëdhënësi..
Institucionet shëndetësore dhe arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë në bazë të sistemit të Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që autoritetet kosovare nuk i kanë mbyllur. Që nga fillimi i këtij viti është aktualizuar çështja e integrimit të këtyre institucioneve në sistemin kosovar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16 janar njoftoi se procesi i integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb do të zhvillohet në koordinim me Bashkimi Evropian, duke theksuar se do të merren parasysh edhe shqetësimet e komuniteteve joshumicë.
Megjithatë, nuk është saktësuar se cilat modele integrimi po shqyrtohen dhe nëse ky proces do të zhvillohet në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç insiston Beogradi. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetje lidhur me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.
Palët u pajtuan për Asociacionin më 2013 dhe ai përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë pranuar në vitin 2023. Sipas një draft-statuti që hartoi Bashkimi Evropian, Asociacioni do të duhej ta rregullonte edhe çështjen e të hyrave, përkatësisht financimin nga buxheti i Serbisë.
Ndërkaq, njoftimi për nisjen e integrimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore përkon me fillimin e zbatimit të fazës së parë për zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt, që do të zgjasë deri më 15 mars dhe parasheh një periudhë informimi.
Zbatimi i plotë i këtij ligji mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, pasi personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të kenë leje pune ose licencë për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.
Në praktikë, marrja e lejes së punës apo e licencës për arsimim mund të jetë problematike, pasi Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, të cilat i konsideron paralele dhe të paligjshme. / REL
