Kryetari i ri i PDK-së Bedri Hamza ka bërë thirrje për mobilizim për zgjedhjet e reja më 28 dhjetor, pasi Lëvizja Vetëvendosje dështoi për të formuar qeverinë e re në dy tentime të njëpasnjëshme.
Thirrja e kreut të ri të PDK-së vjen pasi presidentja Vjosa Osmani shpalli sot 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja, të dhjetat këto me radhë në historinë e Kosovës.
Hamza përkujtoi se PDK-ja kishte kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve më 21 dhjetor, raporton KosovaPress.
Hamza: PDK është e bashkuar
“Data është caktuar dhe tani është koha të shikojmë përpara. PDK është e bashkuar. PDK është e mobilizuar. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion. Ne hyjmë në këtë proces me qartësi dhe vendosmëri të plotë. Kosova ka nevojë për normalitet, për stabilitet, për një qeveri që punon dhe jep rezultate. Jo më për kriza të pafundme, jo më për improvizime dhe jo më për përçarje”, tha Hamza.
Ai shtoi se fitorja e PDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë fitorja e Kosovës së zhvilluar.
Hamza: Me PDK-në për fitore
“Ne jemi gati ta rikthejmë stabilitetin dhe funksionimin normal të shtetit. Më 28 dhjetor, ju ftoj të gjithëve të jemi bashkë. Unik. Të mobilizuar. Dhe të vendosur për një Kosovë që punon, që zhvillohet dhe që ecë përpara. Me PDK-në. Për fitore. Për Kosovën. Na priftë e mbara!”, tha Hamza.

