Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me akademikë nga Shqipëria e Kosova. Në takim ishin të pranishëm: Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe akademikë nga të dyja vendet.
Kreu i Shtetit i përgëzoi kryetarët e akademive për bashkëpunimin e deritanishëm në projekte që nxisin promovimin e elementëve identitarë kombëtarë dhe në adresimin e problemeve bashkëkohore shoqërore.
Në mënyrë të veçantë, Begaj shprehu përgëzime për projektin më të madh të dy akademive dhe instituteve albanologjike, “Enciklopedinë e shqiptarëve”.
Begaj vlerësoi se akademikët kanë rol thelbësor në ruajtjen, promovimin e identitetit kombëtar dhe atij gjuhësor shqiptar.
Kreu i Shtetit çmoi temat e konferencave të fundme të përbashkëta të organizuara nga dy akademitë, veçanërisht ato të demografisë, si tema me rëndësi për sigurinë kombëtare, transmeton ATSH.
Presidenti i Republikës garantoi akademikët se do të kenë gjithmonë mbështetjen e tij si Kryetar Shteti dhe të institucioneve shqiptare për çdo projekt që synon promovimin e historisë sonë kombëtare përmes fakteve dhe të vërtetave shkencore.
