Bekim Jashari ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të disa individëve dhe politikanëve në Kosovë, të cilët, sipas tij, po përbuzin veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri të vendit, duke i krahasuar ato me krimet e regjimit të Millosheviqit.
Në një reagim publik, Jashari ka theksuar se një krahasim i tillë nuk përbën as padije e as lapsus politik, por një fyerje të rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar.
Sipas tij, është e papranueshme që veprimet e një shteti sovran, i cili po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës, të barazohen me sundimin dhe shtypjen e përgjakshme të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Jashari ka vlerësuar se deklarata të tilla i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë, e cila, sipas tij, synon ta shohë Kosovën të përçarë, të zhytur në konflikte të brendshme dhe të larguar nga interesat e saj vitale shtetërore.
Ai ka shtuar se populli i Kosovës i njeh mirë figurat publike dhe veprimet e tyre ndër vite, veçanërisht në momentet më të vështira për vendin, duke theksuar se historia nuk mund të fshihet me deklarata ditore dhe as të rishkruhet për interesa politike afatshkurtra.
Në fund, Jashari ka bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare, duke theksuar se politika duhet të shërbejë si mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo si instrument për përçarje, relativizim të krimeve serbe dhe përfitime të ngushta partiake.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm dhe me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, e jo egos personale dhe kalkulimeve politike afatshkurtra.
Postimi i plotë:
Është e turpshme dhe e papranueshme se si disa individë e politikanë të vendit, e akoma më keq disa të tjerë që thirren si “shokë” të Kryekomandantit Adem Jashari, bëjnë deklarata që nga njëra anë përbuzin veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri, ndërsa nga ana tjetër i krahasojnë këto veprime shtetërore me krimet e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.
Kjo nuk është as padije, as lapsus politik por fyerje e rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Si mund të krahasohet sundimi dhe shtypja e përgjakshme e Serbisë ndaj shqiptarëve me veprimet e shtetit tonë sovran, i cili po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës?
Këto deklarata i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë. Sepse Serbia dëshiron pikërisht këtë: të na shohë të përçarë, të papërgjegjshëm, të zhytur në konflikte të kota dhe larg interesave vitale të shtetit të Kosovës.
Populli na njeh mirë. Ai nuk ka harruar të bëmat e secilit prej nesh: kush kemi qenë, çfarë kemi bërë dhe si jemi sjellë ndër vite, sidomos në momentet më të vështira për vendin. Historia nuk fshihet me deklarata ditore dhe as nuk rishkruhet për interesa politike.
Prandaj, bëjmë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare. Politika duhet të jetë mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo instrument për përçarje, relativizim të krimeve serbe dhe përfitime të ngushta partiake.
Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, jo egos personale dhe kalkulimeve politike afatshkurtra.
Me respekt,
Bekim Hamëz Jashari

