Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi se pas skandaleve të Belinda Ballukut dhe vjedhjeve të saj qëndron vetë kryeministri Edi Rama.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha theksoi se Belinda dhe “dy Lindat” e Ramës, duke iu referuar bashkëshortes dhe ish drejtoreshës së AKSHI-t janë vetë kryeministri, ndërsa e akuzoi këtë të fundit se po zhduk Kushtetutën e shtetin ligjor vetëm për të shpëtuar veten e tij nga drejtësia.
Ai e cilësoi ish zv kryeministren dhe ministren Belinda Balluku si sekretare të vjedhjeve të Ramës, ndërsa shtoi se kryeministri, me veprimet e tij, po pengon rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
“Belinda është lule çfarë janë dy Lindat e tij. Por edhe Belinda dhe dy Lindat janë Rama vetë. Se Lubia ka qenë thjesht një sekretare, notere e vjedhjeve të tij për 25 vite me radhë, që ka ndarë pasuri me të dhe tani duhet që shqiptarëve t’u mbyllen dyert e integrimit në BE.“, tha Berisha.
Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen kundër qeverisë, teksa tha se “është koha të përballemi dhëmb për dhëmb me një regjim që kaq të poshtër nuk e kanë pasur shqiptarët që nga koha e Enver Hoxhës gjer sot.”
“Vetëm Enver Hoxha ishte i aftë të merrte çdo lloj vendimi për të ruajtur pushtetin e tij. Vetëm ai ishte i aftë t’i çonte shqiptarët tek racioni i bukës së misrit, kilogrami i kripës dhe sheqerit që t’i mbante ata të uritur dhe të topitur në mënyrë që të mos mendonin gjë tjetër përveç kafshatës.”, tha Berisha.
Më tej, ai shtoi se Kryeministri Rama, “pasi ka vjedhur miliarda me organizatën e tij kriminale, tani zhduk edhe Kushtetutën, zhduk shtetin ligjor, i mbyll të gjitha, shkatërron drejtësinë për të mbrojtur lëkurën e tij.”
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë, i cili shtyn masivisht shqiptarët që të heqin dorë nga ndërtimi i ëndrrës së tyre evropiane në Shqipëri dhe të marrin rrugët e dheut për ta ndërtuar atë në vende të tjera. Ky është një akt që vetëdijshëm e shkëput Shqipërinë nga aleatët natyralë, me të cilët e bashkoi në frymë Lëvizja e Dhjetorit 1990 dhe hapat e tjerë të mëtejshëm që u bënë.
Arritjet e padiskutueshme në fushën e integrimit euroatlantik, integrimi në NATO, MSA, pranimi i kërkesës së Shqipërisë për proces anëtarësimi, akordimi i statusit kandidat dhe pastaj më në fund hapja e negociatave. Të gjitha këto, Edi Rama i shkelmon për shkak të veprimtarisë së tij kriminale të dyanshme. Vjedhjen e tij të çmendur dhe të pakufishme të pasurive dhe fondeve publike për veten dhe familjen e tij. Belinda është lule çfarë janë dy Lindat e tij. Por edhe Belinda dhe dy Lindat janë Rama vetë. Se Lubia ka qenë thjesht një sekretare, notere e vjedhjeve të tij për 25 vite me radhë, që ka ndarë pasuri me të dhe tani duhet që shqiptarëve t’u mbyllen dyert e integrimit në BE.
Është një moment jashtëzakonisht kritik dhe po të kemi parasysh një faktor, e vërteta është deri diku të pandalshëm, që është avancimi i forcave të ekstremit të djathtë në vendet e mëdha të BE, për të cilat nuk mund të imagjinohet kurrë që Shqipëria të jetë një vend anëtar, këto akte e përçudnojnë Shqipërinë në një shkallë të atillë, sa askush nuk mund të marrë përsipër ta mbështesë këtë vend. Vendi po bëhet gazi i dheut. Kur tregjet e basteve merren të parashikojnë nëse Edi Rama do bjerë këtë vit apo jo, ta imagjinojë çdo shqiptar se ku jemi katandisur ne me këtë njeri. Tani, koha është sot më shumë se kurrë e përgjegjësisë qytetare. Përgjegjësi qytetare do të thotë në këtë rast, përgjegjësi para vendit tënd. Çfarëdo që je, dhe cilido që je, në qoftë se e ndjen veten shqiptar, është koha të ngrihesh. Është koha të përballemi dhëmb për dhëmb me një regjim që kaq të poshtër nuk e kanë pasur shqiptarët që nga koha e Enver Hoxhës gjer sot.
Vetëm Enver Hoxha ishte i aftë të merrte çdo lloj vendimi për të ruajtur pushtetin e tij. Vetëm ai ishte i aftë t’i çonte shqiptarët tek racioni i bukës së misrit, kilogrami i kripës dhe sheqerit që t’i mbante ata të uritur dhe të topitur në mënyrë që të mos mendonin gjë tjetër përveç kafshatës. Vetëm ai ishte i aftë në shpirtin e tij të zi t’i zhyste shqiptarët në izolimin më të thellë që të mos ngriheshin kundër tij. Edi Rama, pasi ka vjedhur miliarda me organizatën e tij kriminale, tani zhduk edhe Kushtetutën, zhduk shtetin ligjor, i mbyll të gjitha, shkatërron drejtësinë për të mbrojtur lëkurën e tij. Nuk ka ditë më të vështirë për vendin se sa kjo. Nuk ka ditë më të vështirë për kombin se sa kjo.
