Në përvjetorin e Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e mbijetuara e masakrës së familjes Jashari, Besarta Hamëz Jashari, ka ndarë një rrëfim emocional duke kujtuar familjen dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
Përmes një shkrimi publik, ajo ka treguar se çdo vit në këtë përvjetor e pushtojnë emocione të forta, të cilat, sipas saj, marrin kuptim kur e di se ndahen nga i gjithë kombi shqiptar.
Jashari ka rrëfyer se ditën e nisi në odën e familjes, ashtu siç kishte bërë dikur, por kësaj here mungonte babai i saj, Hamëz Jashari, i cili ishte gjithmonë aty për ta këshilluar dhe për t’i dhënë forcë shpirtërore.
“Në vend të tij, aty gjeta mixhën Rifatin. Tek ai e shoh dhe e ndiej një pjesë të babushit tim. Besoj se edhe ai tek unë e sheh dhe e ndien vëllaun e tij, Hamzën”, ka shkruar ajo.
Në rrëfimin e saj, Jashari ka kujtuar edhe një moment nga janari i vitit 1996, kur mixha i saj, Rifat Jashari, kishte ardhur ilegalisht në Kosovë dhe qëndronte në një shtëpi të pabanuar të familjes.
Ajo tregon se, si fëmijë, bashkë me të tjerët kishin vërejtur një “njeri të huaj” në shtëpinë e dytë, i cili herë pas here shikonte nga dritarja teksa ata luanin në oborr. Më pas, ai kishte dalë nga shtëpia dhe ishte afruar tek fëmijët, moment kur ata kishin kuptuar se bëhej fjalë për mixhën e tyre, Rifatin.
“Sot, pas tri dekadash, e kuptoj më thellë emocionin e atij momenti. Atëherë ai po çmallej duke i parë fëmijët e vet nga larg, pa pasur mundësi t’i përqafonte”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, sot pas shumë vitesh, ai po gjen ngushëllim duke u çmallur me nipat dhe mbesat, duke përmbushur mungesën e gjatë të përqafimeve.
Në fund të mesazhit të saj, Besarta Hamëz Jashari ka uruar përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, duke përmbyllur shkrimin me fjalët: “Gëzuar Epopeja e të lavdishmes UÇK. Lavdi”.
Postimi i plotë:
Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si çdo vit më pushtojnë emocione të forta – emocione që marrin kuptim kur e di se janë ndarë dhe përjetuar nga mbarë kombi shqiptar.
Sot e nisa ditën në odën e familjes, ashtu si dikur.
Por sot aty nuk e gjeta babushin tim, siç e gjeja çdoherë… atë që më mbushte me forcë shpirtërore, që më dëgjonte e më këshillonte, atë që më jepte vetëbesim.
Në vend të tij, aty gjeta mixhën Rifatin.
Tek ai e shoh dhe e ndiej një pjesë të babushit tim. Besoj se edhe ai tek unë e sheh dhe e ndien vëllaun e tij, Hamzën – ndoshta edhe diçka më shumë.
Ne e kemi të vështirë ta përmbushim mixhën Rifatin për mungesën e madhe që bart në zemër, për mallin e pashuar për familjen.
Më kujtohet janari i vitit 1996, kur mixha Rifat erdhi ilegalisht në Kosovë dhe qëndronte në shtëpinë e pabanuar të familjes.
Ne fëmijët, duke luajtur në oborr, kishim vërejtur se në “shtëpinë e dytë” ishte një njeri “i huaj”, i cili herë pas here dilte në dritare dhe na shikonte.
Derisa në një moment ai “i huaji” doli nga shtëpia dhe erdhi tek ne… dhe e pamë se ishte mixha Rifati.
Sot, pas tri dekadash, e kujtoj atë moment dhe i kuptoj më thellë emocionet e tij.
Atëherë ai po çmallej duke i parë fëmijët e vet nga larg, pa pasur mundësi t’i përqafonte.
Sot, pas gjithë këtyre viteve, ai po çmallet me nipat e mbesat e tij… duke përmbushur mungesën e gjatë të përqafimeve.
Gëzuar Epopeja e të lavdishmes UÇK.
Lavdi
E juaja,
Besarta Hamëz Jashari
