Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Betejat për Albulenën” në Kuvend, Veprimtari nga Amerika: Simbolika kthehet në krizë

 
   

Veprimtari Ramazan Bekteshi ka thënë se në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet një betejë politike simbolike për Albulena Haxhiun, deputeten më të votuar në vend, e cila po refuzohet nga opozita për postin e kryetares së Kuvendit.

Duke krahasuar me betejën historike të Albulenës të vitit 1457, Bekteshi ka thënë se kjo përballje parlamentare po shihet si një luftë për pushtet që sfidon vullnetin qytetar dhe bllokon funksionimin institucional.

“Shqiptarëve sot nuk u duhet rezistencë politike, por bashkim dhe ndërgjegje kombëtare”.

Shkrimi i plotë:

Betejat për Albulenën

Beteja e parë e Albulenës ndodhi me 2 shtator 1457 në vendin e quajtur Albulenë qe mendohet te jetë afër Ujëbardhës në rrethin e Kurbinit, Shqipëri. Pra ishte një ndër betejat më taktike dhe më të rëndësishme të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti. Sulltani, dhe Hamza Kastrioti, kushëri i Skënderbeut ishte ngritur kundër tij me një ushtri rreth 80.000 ushtarësh osmanë, mirëpo kryetrimi ynë vetëm me 10.000 ushtarë shqiptarë i shkaktoi ushtrisë osmane një disfatë që do të mbahej mend një kohë të gjatë. Taktika e Skënderbeut ishte e zgjuar, derisa rezultati një fitore e madhe për shqiptarët.

Një betejë tjetër shume simbolike që ka të bëjë me betejën e Albulenës sot, por që ndodh në Parlamentin e Kosovës në majin dhe qershorin e 2025-së, është po me aq ashpërsi epike, maratonike dhe me elemente tradhtie ndaj shtetit. Albulena, për të cilën ndodh beteja, gruaja që simbolikisht mban emrin e betejës më të famshme të Skënderbeut, gruaja më e votuar në Kosovë në zgjedhjet e fundit parlamentare po refuzohet nga një ‘ushtri’ humbëse. Paradoksalisht, ‘ushtria’ humbëse është e vendosur që ta luftoj Albulenën deri në fund për të kapur pushtetin edhe si humbës edhe pse është një lojë e ndyrë dhe antikushtetuese kur humbësi dikton se kë duhet propozuar për kryetar parlamenti.

A është fitorja e LVV-së një fitore e Pirros apo një lojë strategjike për ta çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Të dy taborët tregojnë “luftë” të lodhshme e pa krye që mund dhe tu përgjigjen strategjive meskine të partive por jo Republikës tonë të re. Tani, në këtë betejë të re për Albulenën, nuk janë më në luftë turqit dhe shqiptarët, por, është një luftë e absurdit shqiptaro-shqiptar për pushtet.

Derisa, Beteja e Albulenës I, ishte simbol i strategjisë, trimërisë dhe rezistencës shqiptare ndaj pushtimit osman dhe që mbetet ende e lavdishme pas aq shumë shekujsh dhe një pikë e ndritshme në historiografinë shqiptare, Beteja Albulena II, shënon një epokë të zymtë në historiografinë tonë më të re, një shembull i turpshëm i parlamentarëve tanë, që vazhdojnë të mohojnë një kandidate të ndershme, por favorizojnë status-quo-në për hir të xhepave dhe interesave partiake, duke ia mohuar funksionimin normal parlamentit dhe shtetit.

Simbolika e Betejës së Albulenës në kohën e Skënderbeut ka domethënie të thellë historike dhe politike. Atëherë, simbolika e betejës së Albulenës qëndronte në dinjitet kombëtar dhe në strategji. Sot, beteja e Albulenës është një luftë politike për parlament me karakter po ashtu metaforik, pra, është një betejë e madhe politike midis partive për kontrollin e institucioneve.

Kjo çka i ndodh parlamentit tonë sot është shkelje e vlerave themelore, qytetare, e kombëtare. Shqiptarëve në këto momente dramatike nuk u duhet rezistencë parlamentare, por ndërgjegje kombëtare dhe thirrje për bashkim e rimëkëmbje morale e politike.