Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, përveç vendimeve të tjera, vendosi që të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është paraparë të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë, që padrejtësisht po mbahen dhe po tentohen të dënohen në Hagë.
Kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së. Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë.
Kryesia vendosi që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë.
Kryesia e BIK-ut po ashtu mbështet fuqishëm deklaratën e djeshme të Myftiut Naim ef. Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët tanë.
Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë.
