Bisedimet e reja mes ShBA-së dhe Iranit do të nisin të hënën, ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump, pasi, sipas tij, u pezulluan sulme ushtarake që ai i cilësoi si “masive” kundër Iranit.
Derisa ndodhej në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump u tha gazetarëve se negociatat do të fillojnë pasditen e së hënës, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
“Po flasim me ta në formën e një negociate. Ajo nis pasdite”, deklaroi ai.
Më herët, përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump shkroi se Irani dhe aleatët e ShBA-së në Lindjen e Mesme i kishin kërkuar të shtynte çdo sulm, pasi, sipas tij, “parametrat” e një marrëveshjeje tashmë ishin dakorduar.
Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan.
Trump ka përsëritur edhe më herët se një zgjidhje diplomatike e konfliktit është afër, megjithatë përplasjet dhe sulmet mes palëve kanë vazhduar.
Presidenti amerikan nuk dha një afat për arritjen e marrëveshjes me Teheranin.
Trump tha po ashtu se, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, si dhe partnerë të tjerë rajonalë të ShBA-së, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, i kërkuan që të mos kryente sulme gjatë fundjavës.
Deklaratat e tij ndikuan menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Çmimi i naftës Brent ra me 4.5%, duke zbritur në 83.98 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI shënoi një rënie prej 4.6%, në 80.74 dollarë për fuçi.
