Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bislimi: Qëndrimet e SHBA-së ndaj Kosovës janë kodifikuar në ligjin NDAA 2026

 
   

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve në Sh BA, Faton Bislimi, ka bërë të ditur se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor janë kodifikuar në Ligjin për Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026.

Përmes një postimi në Facebook,  Bislimi ka shkruar se NDAA 2026, i cili konsiderohet një nga ligjet më të rëndësishme në ShBA, ka marrë miratimin e Senatit dhe ndodhet në fazën finale të aprovimit në Kongres.

Pas miratimit edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, ligji pritet t’i dërgohet Presidentit amerikan për dekretim.

Sipas tij, në draftin mbi 3 mijë faqe të këtij ligji është përfshirë një seksion i veçantë që kodifikon politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

“Në tekstin e draft ligjit NDAA të publikuar para pak orëve (mbi 3000 faqe), që përcaktojnë thuajse gjithëçka që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të SHBA-ve — që nga pajisjet ushtarake e prokurimi i tyre, pagat e ushtarëve, e deri tek strategjitë mbrojtëse e buxheti i mbrojtjes — është përfshirë edhe një seksion që kodifikon me ligj politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

Jam i lumtur të ndaj me ju vetëm një pjesë të vogël, por vlerëmadhe të Ligjit në fjalë — sipas NDAA”.

Ai e ka cilësuar këtë zhvillim si lajm shumë të rëndësishëm për Kosovën, duke thënë se shteti i Kosovës nuk e ka humbur asnjëherë përkrahjen amerikane.

“ SHBA-të përkrahin Kosovën dhe vendet tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE;

— SHBA-të përkrahin dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke;

— SHBA-të nuk përkrahin ndryshim kufijsh, ndarje, apo shkëmbim territoresh sipas vijave etnike për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve në Ballkan!

Ky është një lajm fantastik!

Jam më shumë se krenar të shoh që mundi i shumë organizatave të komunitetit tonë në SHBA dhe përpjekjet tona të parreshtura për të ndihmuar Kosovën po japin rezultate çdo ditë e më shumë.

Kosova asnjë s’ka humbë krah Amerikës”, shkroi Bislimi.