Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bislimi reagon pas intervistimit nga Prokuroria

 
   

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka reaguar pas intervistimit të tij në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.

Në një postim në rrjetet sociale, Bislimi bëri të ditur se ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, por theksoi se pyetjet e bëra nuk përkonin me këtë cilësi.

“Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari,” shkroi Bislimi.

Ai shtoi se informacionet që ka prezantuar mund të ishin siguruar lehtësisht nga vetë Prokuroria, pa qenë e nevojshme thirrja për intervistë.

“Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, theksoi Bislimi.

Zëvendëskryeministri në detyrë vlerësoi gjithashtu se intervistimi i tij kishte qëllim mediatik dhe jo hetimor, duke aluduar për një ndërhyrje të qëllimshme në kohën kur zhvillohej dialogu në Bruksel.

“Del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin ‘skandal’”, shkroi Bislimi.

Ai kritikoi ashpër edhe Prokurorinë, duke thënë se kjo mënyrë veprimi e vendos atë në një “perspektivë jashtëzakonisht negative” karshi përgjegjësive të saj.

“Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet,” përfundoi Bislimi.