Halil Geci paralajmëroi se bojkotimi i institucioneve nga opozita po e bën Kosovën të ngecë në një moment kritik.
Ai në postimin e tij në Facebook akuzoi opozitën për shfrytëzim të humbjes elektorale dhe për dëm të drejtpërdrejtë ndaj interesit shtetëror, duke penguar funksionimin e vendit dhe rrezikuar stabilitetin politik dhe ekonomik, përcjell “Bota sot”.
Sipas Gecit, dialogu ndërpartiak dhe kompromisi nuk janë opsione, por një domosdoshmëri për të shmangur krizën dhe për të mbrojtur legjitimitetin demokratik.
Shkrimi i plotë
Kosova në pranga
Bojkoti i opozitës po e dëmton shtetin pa faj, në kohë rreziku
“Opozita, në vend që të marrë përgjegjësinë për humbjen, bredhin si të harlisur,O të mjerë; fajin e kërkon te populli që nuk iu besoi dhe nuk iu dha votën, ndërsa fituesit nuk kanë faj.”
“Kosovën e ka lidhur opozita me bojkot njëvjeçar dhe e ka prangosur, duke e dënuar pa fije faji.”
Kosova nuk është në prag të shpërthimit, por është në prag të ngecjes. Në një botë në flakë, luksin e grindjeve të vogla politike nuk e përballon dot. Ndërsa rendi ndërkombëtar po tronditet nga luftërat, krizat energjetike dhe përplasjet gjeopolitike, Kosova po humb kohë me bllokada artificiale dhe pazare pushteti.
Nëse opozita vazhdon të vajtojë humbjen elektorale, të bojkotojë institucionet dhe të fajësojë popullin pse nuk e ka votuar, kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të njëpasnjëshme vetëm sa e thellon krizën.
Në këto rrethana, nga 6–12 muajt e ardhshëm Kosova rrezikonë të jet e humbur dhe në vështirsi , jo vetëm për shkak të situatës së rëndë ekonomike dhe tensioneve të brendshme, por edhe për shkak të zhvillimeve gjeopolitike globale.
Dobësimi i brendshëm i Kosovës është ftesë për rrezik. Serbia po qëndron në gatishmëri strategjike, duke pritur momentin e volitshëm duke e shfrytzuar një Kosovë të përçarë politikisht, të bllokuar institucionalisht dhe të lodhur ekonomikisht ,për të shtyrë agjendën e saj destabilizuese.
Historia ka treguar se vakumi politik dhe përplasjet e brendshme janë terren i përshtatshëm për presion dhe ndërhyrje të jashtme.
Bojkoti i shtetit dhe delegjitimimi i vullnetit qytetar nuk përbëjnë opozitarizëm demokratik, por rrezikim të drejtpërdrejtë të interesit shtetëror. Në këtë fazë kritike, Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, unitet minimal dhe stabilitet funksional – jo për kriza artificiale që e lënë shtetin të pambrojtur.
Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi opozitën, e cila po dhunon vullnetin e mbi 60% të qytetarëve, duke cenuar legjitimitetin demokratik dhe interesin shtetëror.
Një opozitë që lufton kundër zgjedhjeve të humbura, dhe jo brenda institucioneve, nuk po ndëshkon qeverinë, por po e dëmton Kosovën.
Nëse kjo sjellje e opozites vazhdon, kostoja politike do të jetë më e rëndë sesa ajo e paguar në tri palë zgjedhjet e kaluara, sepse qytetarët mund ta falin gjithqka ,por nuk e falin bllokimin e shtetit në kohë rreziku.
Nëse nuk zgjidhet presidenti dhe bllokada institucionale vazhdon, Kosova do të përballet me sfida të mëdha politike dhe ekonomike, si dhe me humbje serioze të besimit ndërkombëtar.
Prandaj, partive politike u duhet më shumë se kurrë të rikthehen te dialogu ndërpartiak për t’i kapërcyer dallimet, për të garantuar funksionimin e institucioneve dhe për të mbrojtur interesin shtetëror. Në këtë moment kritik, kompromisi politik nuk është dobësi, por domosdoshmëri shtetformuese.
Mesazhi është i qartë dhe i drejtpërdrejtë:
“Prekni kokën dhe bashkohuni ta zgjidhni presidentin, sepse populli po e paguan koston, ndërsa ju vetëm po i trashni xhepat me para dhe me kurva përkrah.”
Në një moment historik kaq të rrezikshëm, kjo nuk është thirrje emocionale por është alarm politik.
