Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bota në 2025: Luftë, shpresë dhe momente historike në mes të krizave botërore

Ndërsa fishekzjarrët ndriçuan  kryeqytetet e botës në fillimin e 2025,  në Rripin e Gazës, një dritë u fik për familjen Kalloub.

Ata humbën të birin vetëm 35 ditësh, Yousef Ahmad,  i cili ngriu për vdekje nga i ftohti që kishte mbërthyer tendat e improvizuara të palestinezëve në Han Junis.

Teksa vetëm brenda javës së parë të 2025-tës, nga sulmet izraelite u vranë të paktën 74 fëmijë palestinezë.

Kështu nisi viti në Gaza.

Ndërkohë, në Uashington, u kthye sërish në pushtet, presidenti amerikan Donald Trump.

Ky i fundit, gjatë fushatës zgjedhore për të parin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte zotuar se një ndër punët e para që do t’i kryente do të jetë përfundimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Për këtë gjë, ai në shkurt, e ftoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në Zyrën Ovale.

Megjithatë,  takimi i dy liderëve mbushi ballinat e medieve botërore, pasi Trump e quajti Zelenskyyn mosmirënjohës dhe e ktheu duarbosh në Ukrainë.

Një muaj më pas, Trump tronditi tregjet globale të aksioneve , pasi shpalli vendosjen e tarifave ndaj importeve nga të gjitha shtetet e botës.

Për këtë, Komisioni Evropian njoftoi se ka nisur një sërë kundërmasash ndaj tarifave shtesë të SHBA-së për importet e çelikut dhe aluminit nga BE-ja.

E në fund të prillit, Vatikani dha lajmin për vdekjen e Papa Françeskut, në moshën 88-vjeçare, pas një  sulmi në tru, vendin e të cilit e zuri, Robert Prevost, kardinali 69-vjeçar nga Çikago, duke u bërë  amerikani i parë që ngjitet ndonjëherë në papat.

Ai mori emrin Papa Leo XIV, ndërsa për të thuhet se ka pikëpamje të ngjashme me Papa Françeskun në qëndrimet ndaj të varfërve dhe politikat e imigracionit.

E në fillimin të qershorit, më shumë se 1 milion besimtarë myslimanë kryen ritualin e shenjtë të haxhit në Mekë, duke përmbushur kështu një  nga pesë  shtyllat e  besimit islam.

Por, qershori ishte tragjik për më shumë se 270 pasagjerë të Air India, pasi avioni u rrëzua pak çaste pas ngritjes nga qyteti Ahmedabad.

Po në këtë muaj, Izraeli nisi disa sulme ajrore kundër Iranit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmi “ka goditur në zemër të programit të pasurimit bërthamor të Iranit” dhe ka vrarë liderë e politikanë iranianë.

Kjo shkaktoi një luftë 12 -ditore midis dy vendeve në të cilën u përfshi edhe SHBA-ja me sulme kundër Iranit.

Në atë kohë, përfshirja e SHBA-së, ngjalli frikën se lufta mund të zgjerohej, por pasi Teherani nisi një sulm të kufizuar hakmarrës ndaj një baze ushtarake amerikane në Katar, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi armëpushimin ndërmjet Izraelit dhe Iranit.

Raportohet se afro 1.000 iranianë u vranë gjatë asaj lufte.

Ndërkohë, në korrik vendet e Bashkimit Evropian miratuan  paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, e cila pati për synim  t’i japë goditje të mëtejshme industrisë ruse të naftës dhe energjisë.

E në gusht, gjatë samitit të Alaskas, presidenti amerikan Donald Trump u takua me presidentin rus Vladimir Putin.

Trump, e quajti takimin si “shumë produktiv”, por ata nuk arritën një marrëveshje lidhur me përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në këtë muaj, bota u trondit nga imazhet e shpërndara të fëmijëve me trup të dobësuar që po vdisnin nga uria në Gaza. Rreth 500 njerëz vdiqën në Rripin e Gazës nga uria që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, në fillim të shtatorit, Polonia raportoi 19 dronë që hynë në hapësirën e saj ajrore nga Rusia dhe Bjellorusia. Avionë holandezë F-35 dhe F-16 polakë interceptuan dronët, duke shënuar fluturimin e parë të NATO-s në hapësirën ajrore për incidente të tilla që nga viti 1949.

Incidente të ngjashme ndodhën në Rumani dhe Gjermani, duke ekspozuar boshllëqe në mbrojtjen ajrore evropiane.

E fillimi i muajit tetor solli një armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gaza, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i cili parashihte ndaljen e luftimeve, lirimin e pengjeve izraelite dhe të të burgosurve palestinezë dhe lejimin e hyrjes së ndihmave për palestinezët në Rrip.

Megjithatë, edhe përgjatë armëpushimit në fuqi, qindra palestinezë vdiqën nga sulmet izraelite, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve në mbi 70.000.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara njoftuan se kriza humanitare  në Sudanin e prekur nga lufta civile që më shumë se dy vjet është thelluar. OKB-ja thotë se vazhdon të marrë raporte për vrasje masive dhe dhunë seksuale pas marrjes nën kontroll të El Fasher nga RSF-ja në fillim të këtij viti.

Në nëntor, për herë të parë në historinë e tij 400 vjeçare, Nju Jorku u bë me një kryetar mysliman dhe me prejardhje nga Azia. Zohran Mamdani, 34-vjeçar, u zgjodh kryetar bashkie i Nju Jorkut, teksa në fjalimin e fitores tha se me zgjedhjen e  tij është përmbysur një dinasti politike.

Ndërkohë, Trump urdhëroi një bllokadë totale të të gjitha cisternave të sanksionuara  të naftës që hyjnë e dalin nga Venezuela, ndërsa akuzoi udhëheqësin e vendit, Nicolas Maduro se ai përdor naftën e vjedhur për të “financuar veten, terrorizmin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjet dhe rrëmbimet”

Ndërkohë Venezuela e ka akuzuar Trumpin për pirateri, pasi ky i fundit ka konfiskuar dy anije cisternë me naftë, për të cilat ka thënë që ose do t’i shesë ose do t’i mbajë.

Nga ana tjetër, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjecare në Ukrainë u intensifikuan, me Trumpin i cili paraqiti një plan paqeje për 28 pikash, por i cili në fillim u kritikua si shumë i favorshëm për Moskën.

Plani tashmë është zvogëluar në 20 pika, teksa Zelenskyy ka rënë dakord që Ukraina të heqë dorë nga ambicia e saj për anëtarësim në NATO, por duke kërkuar garanci të forta sigurie.

Takimet e vazhdueshme ndërmjet Zelenskyyt me zyrtarët amerikanë  dhe zyrtarëve amerikanë më ata rus, kanë dhënë shpresë që në vitin që vjen të ketë një epilog për luftën e Rusisë në Ukrainë e cila ka vrarë më shumë se 14.000 civilë.

Fundi i vitit 2025 nxori në pah edhe të vërteta nga tri dekada më herët.

Në Itali u dorëzua një padi, në të cilën thuhet se civilët boshnjakë të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës,, nuk u vranë vetëm nga ushtarët e ish-liderit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiqit, por edhe nga të ashtuquajturit “turistë snajperistë” të kombësive të ndryshme, të cilët paguan shuma të majme që të gjuanin me duart e tyre civilë boshnjakë.

Megjithatë, viti 2025, nuk u përkufizua vetëm nga luftërat e fatkeqësitë.

Në Somali, qytetarët votuan për herë të parë, duke shënuar një hap historik drejt demokracisë.

Në Sidnej, një qytetar I thjeshtë, u kthye në hero pasi me guximin e tij shpëtoi jetë gjatë një sulmi terrorist.

Në Palestinë, 170  të rinj u diplomuan në mjekësi mes rrënojave të spitalit al Shifa, duke zgjedhur dijen para frikës.

Teksa 50 çifte palestineze u martuan në një ceremoni kolektive, duke dëshmuar se dashuria mbijeton edhe në kohë lufte./teve1