Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Tammy Bruce ka konfirmuar se SHBA mbështet stabilitetin në Kosovë dhe në Serbi, duke theksuar se misioni i UNMIK-ut në Kosovë më nuk është i nevojshëm.
Bruce ka shprehur qëndrimin kritik ndaj rolit aktual të misionit të UNMIK-ut, duke vlerësuar se ai nuk po përmbush më funksionet për të cilat është krijuar. Sipas këtij qëndrimi, nuk ka arsye që Kosova të trajtohet në vitin 2026 në të njëjtën mënyrë si në periudhën pas luftës më 1999.
Bruce: UNMIK-u ka mbetur pa rol real, misioni duhet të përfundojë
“Sot, KFOR-i ndihmon për të ruajtur sigurinë në rajon, ndërsa EULEX-i dhe OSBE-ja ndihmojnë për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të forcuar institucionet e Kosovës. UNMIK-u nuk luan rol as qeverisës, as ushtarak, as ndërmjetësues; nuk po adreson as sigurinë, as paqeruajtjen dhe nuk po e avancon normalizimin. Shumica e funksioneve që i ka janë vetëm në letër dhe tashmë po kryhen nga organizata të tjera. UNMIK-u sot ka rreth 300 personel dhe vetëm 8 zyrtarë ushtarakë. Me një fjalë, është një mision me më shumë staf dhe financim, por pa rol real paqeruajtës. Ne e mirëpresim zvogëlimin e buxhetit të UNMIK-ut për vitin e ardhshëm, është një hap në drejtimin e duhur, por nuk ka shkuar në nivelin e nevojshëm”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se derisa ky Këshill të marrë vendimin për mbylljen e misionit, ai duhet të zvogëlohet më tej dhe funksionet e tij të transferohen te subjektet që tashmë po i kryejnë ato.
Tha se kur një mision e ka përmbushur qëllimin e tij mandati i tij duhet të përfundojë.
Bruce: UNMIK-ut i ka ardhur fundi
“Një mision që nuk përfundon nuk është histori suksesi, por një shenjë paralajmëruese. Këshilli i Sigurimit nuk duhet të masë efektivitetin me atë se sa gjatë mbijeton një mision, por nëse paqja është e qëndrueshme, institucionet janë bërë të afta. Në Kosovë, përgjigjja është e qartë: kushtet në terren, aftësitë institucionale dhe prania e aktorëve të tjerë,veçanërisht nga Bashkimi Evropian, tregojnë se UNMIK-ut i ka ardhur fundi”, tha ajo.
Bruce tha se mbesin të përkushtuar për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe në Serbi.
Bruce: SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe në Serbi
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe në Serbi. Ne, ashtu si ju, e dimë se paqja dhe stabiliteti janë të rëndësishme për të dyja shtetet. Ne e dimë se popujt e Kosovës dhe Serbisë janë miqtë tanë dhe ata meritojnë një të ardhme që përkufizohet nga siguria, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet fqinjësore, e jo nga tensione politike apo probleme të ricikluara”, u shpreh ajo.
Ajo dha një mesazh për Konjufcën se rruga e vetme përpara është normalizimi i raporteve në mes të këtyre dy palëve.
BRUCE: Kurti dhe Vuçiq duhet të ulin temperaturën dhe të ulen në tavolinë
“Presidenti Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni për të punuar së bashku. Kurti dhe Vuçiq duhet të ulin temperaturën dhe të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë me liderë që shohin kah e ardhmja e jo nga e kaluara: me një dialog të vërtetë dhe jo teatër”, tha ajo.
Në Këshill të Sigurimit të OKB-së, foli edhe Përfqësuesi i UNMIK-ut Peter Due dhe zëvëndëskryeministri i Kosovës Glauk Konjufca.
