Gjatë ditës së sotme Gjykata Kushtetuse ka bërë të ditur se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës është jo kushtetuse.
Lidhur me këtë ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ai thotë se aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin nga komuniteti serb nuk solli diçka të re
Postimi i plotë:
Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin nga komuniteti serb nuk solli diçka të re, por e thelloi dhe e qartësoi logjikën e vendimit paraprak. Aktgjykimi rikonfirmon se kush e propozon përfaqësuesin e komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit dhe deri ku shtrihet vullneti i shumicës shqiptare në zgjedhjen e tij.
Në këtë kontekst, konsideroj që reagimi i Kryetarit të Kuvendit është problematik sepse e barazon moszgjedhjen me mospropozimin dhe, mbi këtë bazë, e arsyeton kalimin në short. Gjykata ka thënë të kundërtën. Deputetët serbë nuk refuzuan të propozojnë. Ata i shfrytëzuan të gjitha të drejtat e tyre duke propozuar nëntë kandidatë. Fakti që këta kandidatë nuk i morën votat e shumicës parlamentare nuk e shndërron këtë në bllokadë nga komuniteti dhe nuk e aktivizon automatikisht mekanizmin e imponimit.
Edhe më shqetësuese është përpjekja e Kryetarit për t’u pozicionuar si interpretues përfundimtar i normave, duke u thirrur në rolin e tij si interpretues i Rregullores gjatë seancës. Ky rol është instrument për menaxhimin e procedurës në sallë, e kurrsesi imunitet nga kontrolli kushtetues. Nëse kjo logjikë do të pranohej, çdo shkelje e neneve të Kushtetutës që lidhen me Kuvendin do të mund të justifikohej thjesht si “interpretim i rregullores”, duke e zbrazur nga përmbajtja vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese.
E tërë kjo situatë nuk ka të bëjë me një apo dy nene, por mbi të gjitha me parimin se kush e ka fjalën e fundit në interpretimin kushtetues. Dhe ajo fjalë nuk është e Kryetarit të Kuvendit apo cilitdo bartës tjetër institucional, por ekskluzivisht e Gjykatës Kushtetuese.
Nëse secili funksionar fillon ta lexojë Kushtetutën sipas vetes dhe ta shpallë veten më kompetent se Gjykata, atëherë rendi kushtetues zëvendësohet me interpretime sipas interesit të momentit.
