Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Cakolli përmend datat kur Kosova mund të ketë zgjedhje të parakohshme

 
   

“Çka tash, pas dështimit të votimit për Qeverinë?” është pyetja që e ka parashtruar Eugen Cakolli hulumtues në Institutin Demokratik i Kosovës (KDI), sot, pasi ligjvënësit kosovarë nuk i thanë “po” Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, me vota për të vazhduar me ekzekutivin e ri.

Eugen Cakolli ka sqaruar se tani vendi hyn në fazën e dytë të procedurës kushtetuese për formimin e qeverisë, që, siç thotë ai, përcaktohet me Kushtetutë dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, nëse të gjitha partitë refuzojnë dhe dështojnë të bëjnë qeverinë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme: “Pas konstatimit potencial të mungesës së shumicës së nevojshme për formimin e qeverisë së re, datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, në varësi të ditës kur shpallen zgjedhjet”.

Ai ka shkruar në Facebook se, barra më e madhe po i mbetet presidentes Vjosa Osmani, për të cilën thotë se është e detyruar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë politike, për të parë se cilat kanë shumicën për të formuar qeverinë e re. Pas 10 ditësh nga këto konsultime, Osmani duhet të vendosë kujt t’ia japë mandatin.

“Ky mandat mund t’i jepet sërish partisë fituese (nëse ajo deklaron gatishmëri dhe mundësi reale për shumicë) ose cilësdo parti tjetër (nëse ajo paraqet prova konkrete për mbështetje në Kuvend). Vlen të theksohet se nuk ka asnjë ndalesë mbi kandidatin individual në tentimin e dytë, pasi termi ‘kandidat tjetër’ nënkupton vetëm raundin e dytë procedural, jo ndalimin që i njëjti kandidat të mandatohet përsëri”, shkruan Cakolli.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Kosovës, formimi i Qeverisë Kurti 3 nuk mori votat e mjaftueshme. Kështu koalicioni parazgjedhor Vetëvendosje–Guxo–Alternativa nuk arriti të krijoj shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, të nevojshme për të formuar Qeverinë Kurti 3. Për Qeverinë Kurti 3 ishin 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime.