Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Canaj: Kurti ta propozojë Limajn për kryeparlamentar ose…

 
   

Diplomati dhe profesori universitar, Blerim Canaj ka thënë se pas qëndrimit të Nismës për Kosovën se nuk ka vullnet që në këtë kohë të jetë pjesë e Qeverisë Kurti, ka thënë se kreu i Vetëvendosjes ka dy opsione,ndërrimin e kandidatit për kryetar Kuvendit ose ftesë PDK-së për bashkëqeverisje.

Ndonëse ka thënë se ka qenë skeptik i një koalicioni LVV- PDK, sipas tij situata aktuale dhe interesi i vendit e kërkon një zgjidhje.

“Kam qenë gjithmonë skeptik, por tash është në interes të vendit. Albin Kurti i ka dy opsione ose ta ndërrojë kandidatin për kryeparlamentar dhe ta qes Fatmir Limaj ose ta thërras PDK-në dhe t’i bisedojë temat për një koalicion të mundshëm”, ka thënë Canaj në emisionin “InfoNata”.

Canaj ka komentuar edhe qëndrimin e Fatmir Limajt dhe partisë së tij, që për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje të marrë postin e kryetarit të Kuvendit dhe mos të pranojë të jetë pjesë e Qeverisë Kurti 3.

Ai ka thënë se këtë veprim me gjasë Limaj e ka bërë nga frika se mund të tradhtohet nga Kurti.

Canaj në emisionin “InfoNata”, ka thënë se kreu i Nismës nuk dëshiron të rrezikojë ashtu siç bëri LDK-ja.

“Z.Limaj e kërkon pozitë e kryetarit të Parlamentit pikërisht për shkak të një garancie të mos tradhtohet nga Kurti dhe LVV, për shkak se Kurti si kryeministër mund t’i shkarkojë ministrat, por jo kryetarin e Parlamentit. Në këtë rast po vërehet shumë qartë se z.Limaj nuk dëshiron të rrezikojë sikurse që ka bërë LDK-ja”, ka thënë Canaj.