Lajme

​Çeku: Lufta për të çliruar mendjet e pushtuara është më e vështirë se lufta me armikun

 
   

Ish-kryeministri dhe gjenerali i luftës Agim Çeku është rikthyer në skenën politike, duke iu bashkuar listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Në një intervistë për KosovaPress, Çeku ka zbardhur motivet e këtij rikthimi, duke theksuar se nuk lëviz nga ambiciet personale, por nga një ndjenjë e thellë detyre ndaj vendit, i cili, sipas tij, po kalon një periudhë stagnimi, sanksionesh dhe zbehjeje të mbështetjes ndërkombëtare.

Çeku thotë se qëllimi i tij kryesor është të jetë në krah të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe të ndihmojë Kosovën në këtë moment delikat.

Çeku: Kemi mendje të pushtuara shumë në skenën politike

“Është një bllokadë njëvjeçare, një stagnim i Kosovës, një zbehje e mbështetjes për Kosovën, sanksione ndaj Kosovës, dhe këto janë arsyet… Nganjëherë, lufta për çlirimin e mendjeve të pushtuara, është shumë më e vështirë sesa lufta ballë për ballë me armikun. Kështu që, unë e mendoj që vitet e fundit, kemi manipulime me njerëz, njerëz me mendje të lehta, po me njerëz me mendje të vogël, lejohen që të manipulohen, edhe atëherë njerëzit e manipuluar apo mendja e manipuluar bëhet shpeshherë edhe e rrezikshme për vendin, për shoqërinë. Edhe fatkeqësisht ne kemi të bëjmë me një politikë shumë të dominuar nga mashtrimet, manipulimet me masa, me njerëz, edhe kjo e bën një, thashë, është shumë e vështirë çlirimi i mendjeve të pushtuara. Kemi mendje të pushtuara shumë në skenën politike”, ka thënë Çeku.

Ai tha se AAK si pjesë e Parlamentit të ardhshëm do të punojë që Kosova të rikthejë mbështetjen e partnerëve të saj strategjikë, pasi kjo mbështetje është zbehur dukshëm.

Çeku: Hyrja në NATO është objektivi numër një

“Po. A sigurohet Kosova duke pasur mbështetës të fuqishëm prapa krahësh, aleatë, partnerë të fuqishëm, duke qenë pjesë e NATO-s. A për me qenë pjesë e NATO-s, hyn kjo e para, që të kemi mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në radhë të parë, të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, vendeve më të fuqishme të NATO-s. Mendoj se Haradinaj e ka këtë kauzë. Unë e mbështes plotësisht dhe kjo është njëra prej arsyeve pse iu kam bashkuar atij, sepse po e shoh si njeri ushtarak që kam qenë gjatë gjithë jetës, Kosova ende nuk është e siguruar dhe në këto rrethana gjeopolitike në botë e Evropë, më bëjnë të shqetësohem për të ardhmen e Kosovës, se sa do të jetë e siguruar. Nuk kam shqetësim për sigurinë e brendshme, por kam shqetësim për Kosovën në përgjithësi. Mendoj se hyrja në NATO është objektivi numër një ku duhet të orientohen dhe fokusohen të gjitha energjitë dhe përpjekjet, ka thënë Çeku.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme