Deputetët e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë mbledhur në selinë e partisë për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ky takim vjen një orë pas përfundimit të takimit të tretë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryeministrin dhe njëherësh kryetarin e Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, raporton KosovaPress.
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha se do të respektojë çdo vendim që merr kryesia e LDK-së për çështjen e presidentit, përfshirë edhe mundësinë për ta votuar për një mandat të dytë Vjosa Osmanin.
“Prandaj po mbahet ky takim që t’i marrim informatat nga kryetari Abdixhiku…Do të diskutojmë dhe bëjmë debat dhe t’i marrim vendimet e duhura”, tha ai.
Edhe deputeti tjetër, Armend Zemaj, foli shkurt për media. Ai tha se ka shumë emra që do t’i rekomandonte për president nga radhët e LDK-së.
Zemaj theksoi se fillimisht ka votë për kandidatët e LDK-së për president, e më pas do të shohë përtej.
“Ka shumë emra në LDK që do t’i rekomandoja; ka shumë meritorë, prej të parit deri te i fundit e meritojnë. Unë kam votë për njerëzit e LDK-së, pastaj të shohim përtej”, tha ai.
