3
Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Ministrisë së Mbrojtjes, në emisionin Personale në RTV Dukagjini, ka folur për kohën e luftës, kur ai i ishte bashkuar asaj si vullnetar nga Zvicra.
Ai ka folur gjithashtu për fitoren e luftës ndaj Serbisë.
Por, a mund ta fitonte UÇK-ja luftën pa ndihmën e NATO-s? Maqedonci thotë se të gjithë ata që iu bashkuan luftës për çlirim besonin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të forcohej, do të përgatitej dhe do të ishte e gatshme ta çlironte vendin edhe e vetme.
“Normalisht që nga këndvështrimi i tanishëm do ta vlerësoja ndryshe, për shkak se kemi pasur shumë mungesa, presion e represion nga ushtria dhe strukturat shtetërore të Serbisë ndaj popullatës sonë, për të mos iu bashkuar UÇK-së. Mirëpo unë edhe sot jam i bindur që të gjithë pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë të bindur plotësisht që mund të çlirohet vendi edhe me forcat tona, pavarësisht se të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm se një çlirim vetëm me forcat tona do të kishte pasoja normalisht shumë më të mëdha…”, ka thënë ai ndër të tjera.