Lajme

Çfarë nënkupton largimi i Grenellit për Kosovën? Adem Lushaj flet për raportet Kosovë–SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se Richard Grenell do të largohet nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts” në Uashington, D.C., një detyrë që ai e kishte marrë në shkurt të vitit 2025.

Grenell njihet si një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Trumpit dhe ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë dy mandateve të tij presidenciale. Ai është gjithashtu një figurë e njohur për publikun në Kosovë, pasi ka shërbyer si i dërguar special i SHBA-së për dialogun Kosovë–Serbi gjatë administratës së Trumpit.

Gjatë kësaj periudhe, Grenell ishte i përfshirë në përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, që kulmuan me nënshkrimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.

Drejtori i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, Adem Lushaj, në një pronocnim për “Bota sot”, ka thënë se politika amerikane ndaj Kosovës mbetet e qëndrueshme dhe strategjike, pavarësisht ndryshimeve të zyrtarëve.

Sipas tij, largimi i një zyrtari nga një post i caktuar nuk nënkupton ndryshim të kursit të SHBA-së ndaj Kosovës apo rajonit, pasi politika amerikane ndërtohet mbi interesa afatgjata shtetërore dhe një strategji institucionale të mirëpërcaktuar.

“Sipas mendimit tonë, si drejtues të Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur, politika amerikane ndaj Kosovës është një politikë e qëndrueshme dhe strategjike, e cila nuk ndryshon në thelb pavarësisht nga emrat e zyrtarëve që angazhohen për ta zbatuar atë.

Në këtë kuptim, largimi i një zyrtari amerikan nga një detyrë e caktuar nuk duhet parë domosdoshmërisht si ndryshim i kursit të politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës apo rajonit. Politika e Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërtohet mbi interesa shtetërore afatgjata dhe mbi një strategji të mirëpërcaktuar institucionale”, thotë ai.

Tutje, Lushaj tha se figura e Grenellit është vlerësuar në opinion në dy mënyra: për angazhimin e tij diplomatik në dialog, por edhe për disa qëndrime që janë perceptuar si më të afërta me Serbinë.

Megjithatë, sipas tij, largimi i Grenellit nuk lidhet me ndryshim të politikës amerikane, por me riorganizime të zakonshme institucionale, duke theksuar se marrëdhëniet Kosovë–SHBA mbeten të forta dhe strategjike.

“Edhe figura e Richard “Ric” Grenell është vlerësuar në opinion në dy aspekte: nga njëra anë për angazhimin e tij diplomatik në proceset e dialogut, ndërsa nga ana tjetër për qëndrime që në disa raste janë perceptuar si më të afërta me pozicionet e Serbisë. Megjithatë, nuk besoj se largimi i tij lidhet me devijim nga politika amerikane, por më shumë me një lëvizje të zakonshme në kuadër të organizimit institucional dhe strategjik.

Prandaj, në vlerësimin tonë, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara mbeten të forta dhe të qëndrueshme, sepse ato mbështeten në partneritetin strategjik dhe në interesat e përbashkëta afatgjata” – përfudnon ai.

Të Ngjashme