Një fotografi e realizuar nga roveri Curiosity i NASA-s në sipërfaqen e Marsit ka rikthyer në qendër të vëmendjes teoritë për ekzistencën e jetës jashtëtokësore, pasi një studiues i UFO-ve pretendon se në imazh shihet një objekt që mund të jetë provë e një lufte të lashtë aliene.
Scott C. Waring, i njohur për teoritë e tij mbi UFO-t, argumenton se formacioni i fotografuar nuk është një shkëmb i zakonshëm, por i ngjan një rakete jashtëtokësore të pashpërthyer.

“Ky është një mjet fluturues ose raketë e pashpërthyer që ndodhet vetëm pak metra larg roverit të NASA-s. Është provë se në Mars ka ndodhur një luftë e madhe shumë kohë më parë, e cila zhduku pjesën më të madhe të jetës në planet”, pretendon Waring.
Ai shton se objekti, të cilin e vlerëson rreth 2.5 metra të gjatë, mund të përfaqësojë teknologji të avancuar jashtëtokësore, duke spekuluar se heshtja e NASA-s lidhet me rëndësinë e mundshme të zbulimit.
Pretendimet e tij kanë ndezur debat në rrjetet sociale. Disa përdorues mbështesin teorinë dhe shprehen skeptikë ndaj NASA-s, ndërsa të tjerë e konsiderojnë objektin thjesht një formacion shkëmbor.

Megjithatë, NASA nuk ka identifikuar objektin si diçka tjetër përveç një pjese të peizazhit natyror marsian. Agjencia hapësinore ka theksuar vazhdimisht se deri më tani nuk ka gjetur asnjë provë që konfirmon ekzistencën e jetës jashtëtokësore në Mars.
Kjo nuk është hera e parë që Scott Waring pretendon se fotografitë e NASA-s përmbajnë prova të qytetërimeve në Mars. Edhe më parë ai ka interpretuar formacione shkëmbore si hyrje të ndërtuara nga qenie jashtëtokësore, por asnjë prej këtyre pretendimeve nuk është mbështetur me prova shkencore.

View this post on Instagram
