Aktuale

Çfarë po ndodh?! FNSH blindon Vlorën, kontrolle në hyrjet dhe daljet e qytetit

Daljet dhe hyrjet e qytetit të Vlorës janë blinduar mbrëmjen e sotme nga forca të shumta policie, në kuadër të një operacioni të gjerë kontrolli dhe sigurie.

Në aksion janë angazhuar efektivë të Policisë së Vlorës, forcat e ndërhyrjes së shpejtë si dhe policia rrugore, të cilët po zhvillojnë kontrolle të befasishme në pika të ndryshme të qytetit dhe në akset kryesore hyrëse e dalëse.

Kontrollet janë përqendruar kryesisht tek automjetet me xhama të zinj, automjetet e reja si dhe persona që konsiderohen të dyshimtë nga autoritetet.

Gjatë aksionit, efektivët e policisë po ndalojnë automjete të ndryshme për verifikime të dokumentacionit, kontroll të bagazheve dhe identifikimin e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve. Kontrollet po kryhen në mënyrë të detajuar dhe të organizuar, me qëllim parandalimin e çdo veprimtarie të mundshme të paligjshme.

Sipas burimeve paraprake, operacioni është pjesë e masave të shtuara të sigurisë që po ndërmerren për të rritur kontrollin në territor dhe për të parandaluar krimin, trafikun e paligjshëm apo lëvizjen e personave të shpallur në kërkim. Prania e shtuar e forcave të policisë në rrugët kryesore të qytetit ka tërhequr edhe vëmendjen e qytetarëve, të cilët kanë parë postblloqe dhe patrulla të shumta në disa zona.

Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në orët në vijim dhe mund të shtrihen edhe në zona të tjera të qytetit. Qëllimi kryesor i këtij operacioni është rritja e sigurisë publike, parandalimi i aktiviteteve kriminale dhe garantimi i rendit në qytetin e Vlorës.

Të Ngjashme