Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Çfarë premtoi Koçiu në Bruksel?

 
   

Ministrja e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, Albana Koçiu zhvilloi sot një takim zyrtar me Komisionerin Evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, ku u ripotencua angazhimi i Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 24 të acquis, që përfshin drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

Gjatë takimit, Koçiu theksoi se prioritet i veçantë mbetet lufta kundër migracionit të paligjshëm, duke nënvizuar se Shqipëria po vijon të forcojë masat, bashkëpunimin dhe kontrollet kufitare në linjë me praktikat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

“Shqipëria do të vijojë progresin e reformave me vendosmëri dhe vullnet të qartë politik në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”, deklaroi ministrja, duke siguruar se institucionet shqiptare mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj detyrimeve të procesit të integrimit.

Takimi në Bruksel u vlerësua si një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane dhe në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.