Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë rreziqe mund t’i shkaktojnë shtetit të Kosovës persona si Nikola Vujoviq, flasin ekspertët e sigurisë

 
   

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka marrë vendim që t’ia heq shtetësinë serbit, Nikola Vujoviq, i cili sipas ministrit në detyrë Xhelal Sveçla punon në Policinë e Serbisë.

Shtetësia e Kosovës nuk do t’i takojë më serbit Nikola Vujoviq.

Vendimin për t’ia hequr atij shtetësinë e mori ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, pasi sipas tij, Vujoviq punon në Policinë e Serbisë,

Sveçla veprimi i Vujoviqit është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe cenim i sigurisë kombëtare.

“Nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës nga kushdo qoftë. Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj”, ka deklaruar Sveçla.

Sipas Sveçlës, Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës.

Pas humbjes së shtetësisë, Policia njoftoi pasdite se ndaj Vujoviqit do të fillojnë procedurat e largimit me forcë nga territori i Kosovës, dhe se ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

Pos Vujoviqit, Serbia përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, ka pretenduar se autoritetet e Kosovës kanë ndaluar në pika kufitare edhe dy pjesëtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, si dhe një ish-polic.

Lidhur me këtë pretendim, Dukagjini ka kërkuar një konfirmim nga Policia e Kosovës dhe MPB-ja, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Në anën tjetër, televizioni ka marrë vesh jozyrtarisht se ka edhe një numër të konsiderueshëm të rasteve të ngjashme, kur pjesëtarë të komunitetit serb me shtetësi kosovare janë pjesë e institucioneve të sigurisë në Serbi.

Këto raste janë në verifikim e sipër nga institucionet kosovare të sigurisë dhe si rezultat pritet të ketë edhe vendime të tjera të ngjashme.

Por, çfarë rreziqesh mund t’i shkaktojnë këta persona shtetit të Kosovës?

“Rreziqet kryesore janë se nëse ata veprojnë në institucionet e sigurisë, ata bartin informacione të vazhdueshme në inteligjencën, po e zëmë BIA-n serbe, dhe e informojnë për rezultatet dhe janë pengesë e aktiviteteve edhe masave operative të cilat policia ndërmerr në Kosovë”, deklaroi Refki Morina, ish-nënkolonel i Policisë së Kosovës

Por, persona të tillë ka mundësi që janë pjesë e institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe që eventualisht mund të kryejnë ndonjë veprim joligjor, thonë njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami.

“Persona të tillë deri më tani mund të ketë, por kanë dështuar të destabilizojnë Kosovën, mirëpo meqenëse ata paraqesin rrezik permanent, duhet t’u hiqet nënshtetësia dhe të merren masat e nevojshme dhe të mos veprojnë në Kosovë”, deklaroi Avni Islami.

Së fundmi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një ish-polici të Kosovës, i cili kishte qenë agjent në Kosovë i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, e njohur si BIA.