Ditët që ndajnë Krishtlindjet nga nata e Vitit të Ri shpesh duken si një hapësirë e lirë kohore që shumë prej nesh nuk dinë si ta përdorin. Por, në vend që t’i lëmë të kalojnë në mërzi, kjo periudhë mund të kthehet në një kohë kreative, relaksuese dhe plot kujtime të bukura.
Një ide e thjeshtë për të rifituar energji pas drekave të mëdha të festave është të organizoni një brunch të shëndetshëm me miqtë. Përzgjidhni ushqime të lehta dhe të freskëta si sallata me fruta, smoothie apo avocado toast një mënyrë e këndshme për t’u rilidhur me njerëzit e dashur dhe për t’u ndjerë mirë pas ditëve të bollshme të festave.
Nëse preferoni ditët e qeta në shtëpi, një maratonë filmash me temë festive mund të sjellë shumë gëzim. Zgjidhni klasikët e sezonit apo ndonjë sagë të lënë ndonjëherë pas dore, shtrihuni me një batanije të ngrohtë dhe shijoni filmin me kokoshka në dorë.
Për ata që duan të dalin dhe të shfrytëzojnë ajrin e ftohtë të dimrit, një shëtitje në natyrë, një drekë në malin e afërt apo edhe një seancë patinazhi mbi akull janë mënyra të mrekullueshme për të rifreskuar trupin dhe mendjen.
Koha midis festave është gjithashtu e shkëlqyer për të provuar një aktivitet kreativ: pikturë, punime dore, apo ndonjë projekt “DIY” mund të ndezin një pasion të ri dhe të stimulojë imagjinatën.
Nëse dëshironi të ndiheni produktiv, rregullimi i shtëpisë dhe organizimi i hapësirave mund të jetë shumë i kënaqshëm. Kjo do t’ju ndihmojë ta filloni vitin e ri me një mjedis të pastër, të rregulluar dhe pa rrëmujë.

