Fibrat e portokallit ndihmojnë në kontrollin e sheqerit dhe uljen e kolesterolit, duke parandaluar sëmundjet kardiovaskulare.
Portokalli përmban rreth 55 miligramë kalcium, ose 6% të nevojave ditore të organizmit, një lëndë e rëndësishme për forcimin e eshtrave dhe ruajtjen e shëndetit të tyre. Ky frut përbëhet kryesisht nga karbohidrate dhe ujë, përmban pak proteinë dhe yndyrë, dhe ka kalori relativisht të ulëta.
Fibra që përmban ndihmon tretjen dhe përmirëson shëndetin në përgjithësi, duke ulur rrezikun nga sëmundjet e zemrës, kanceri i zorrës së trashë dhe mbipesha.
Portokajtë janë të pasur me vitaminë C, folate, kalcium dhe vitaminë B1, ndërsa e gjithë familja e agrumeve (portokalli, limoni, grejpfruti etj.) përmban antioksidantë karotenoidë që ndikojnë edhe në ngjyrën e tyre të ndezur portokalli, të kuqe dhe të verdhë, raporton HealthLine.
Studime tregojnë se pirja e lëngut të freskët të portokallit rrit nivelet e karotenoidëve në lëkurë, një tregues i mirë i vlerave ushqyese të organizmit.
Ekspertët rekomandojnë konsum të rregullt të frutave të pasura me vitamina, minerale dhe komponime antioksiduese, veçanërisht gjatë sezonit kur janë të freskëta, për të mbështetur sistemin imunitar.
Frutat e agrumeve dhe shëndeti mendor
Një studim i publikuar në revistën “BMC Microbiome” ka zbuluar se konsumimi i frutave të familjes së agrumeve, si portokalli dhe grejpfruti, mund të ulë rrezikun e depresionit me rreth 20%. Kjo lidhje nuk u vërejt tek frutat ose perimet e tjera, por ishte specifike për agrumet.
Studiuesit theksojnë se depresioni është një gjendje komplekse dhe nuk mund të thonë se ngrënia e një portokalli do të ndryshojë menjëherë shëndetin mendor, por ky zbulim mund të ndihmojë në parandalimin e tij.
Studiuesit analizuan të dhënat e 32,500 grave nga studimi “Nurses’ Health Study 2” dhe mbi 300 burra, duke përdorur mostra fekale për të studiuar mikrobiomën e zorrëve.
Rezultatet treguan se njerëzit që konsumonin agrume çdo ditë kishin më shumë bakteret Faecalibacterium prausnitzii (F. prausnitzii) në zorrë, një bakter që ndihmon në reduktimin e inflamacionit dhe ishte më i pranishëm tek ata që nuk vuajnë nga depresioni.
“Ky studim thekson rëndësinë e dietës në parandalimin e depresionit dhe ofron një shpjegim të mundshëm për mënyrën se si mikrobioma e zorrëve ndikon në shëndetin mendor”, shkruajnë studiuesit.
Tags: portokalliShendetiTeve1

