Brenda Laboratorit Qendror, i vendosur në Fabrikën e Ujit në Shipol, po kryhen analiza të vazhdueshme çdo 30 minuta për të monitoruar cilësinë e ujit që aktualisht po shpërndahet në rajon.
Sipas të dhënave të fundit, parametrat e ujit janë duke shënuar përmirësim. Menaxherja e cilësisë së ujit, Arlida Gërguri, ka deklaruar për RTK-në se qytetarët do të njoftohen sapo të gjithë parametrat të jenë brenda standardeve të ujit të pijshëm, në përputhje me udhëzuesin administrativ.
Kujtojmë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kishte njoftuar një ditë më parë se, në bashkëpunim me qendrat rajonale, po e monitoron nga afër gjendjen e ujit të pijes në të gjithë territorin e Kosovës pas reshjeve të fundit. Instituti kishte bërë të ditur se, përveç analizimit të mostrave të rregullta dhe të jashtëzakonshme, ishte në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë rajonale të ujësjellësit me qëllim të sigurimit të ujit të pijes për qytetarët.
Sipas informatave të publikuara, në rajonin e Prishtinës fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak nuk ishin funksionale për shkak të turbullirës së lartë, ndërsa sistemet në Badovc dhe Batllavë funksiononin normalisht. Në rajonin e Prizrenit, uji nga burimi “40 bunarët” nuk rekomandohej për pije, ndërsa në Suharekë dhe Malishevë uji ishte jashtë përdorimit për konsum.
Në Gjilan nuk ishin raportuar probleme, por në Berivojcë të Kamenicës ishin evidentuar nitrate të rritura, ndërsa në Viti furnizimi me ujë ishte ndërprerë. Në rajonin e Pejës ishin shënuar ndërprerje të përkohshme, ndërsa Ferizaj dhe Gjakova raportonin ujë të sigurt nga rrjeti. Në Mitrovicë, uji nuk ishte i përshtatshëm për pije për shkak të turbullirës së madhe.
IKSHPK kishte rekomanduar që uji nga burime të pambrojtura të vlohet para përdorimit.

