Përpara se të merrni vendimin për të adoptuar një qen, duhet të informoheni, nëse nuk e dini tashmë, për përgjegjësitë që do të keni si kujdestarë. Koha e nevojshme çdo ditë për kujdesin e tij, shëtitjet, stërvitjen, kujdesin veterinar dhe ushqimin. Është një angazhim mesatarisht 13 vitesh , nga të cilat nuk mund të kesh asnjë ditë pushim. Edhe në udhëtimet ku nuk do të mund ta merrni me vete, duhet të mendoni se kush do të kujdeset për qenin, nëse do të jetë një kujdestar qensh apo dikush nga mjedisi juaj i ngushtë që dëshiron vërtet ta marrë përsipër këtë përgjegjësi.
Rregulli 3-3-3 për një qen të adoptuar
Pasi një qen ndryshon mjedisin, atij i duhet pak kohë për t’u përshtatur. Këto janë kafshë që pëlqejnë shumë zakonin dhe nuk përshtaten menjëherë me kushtet e reja. Përveç kësaj, disa përvoja të këqija mbeten të gdhendura thellë në to dhe duhet kohë për të shëruar plagët. Sipas studimeve, një rregull vlen për qenin e adoptuar:
Ju duhet:
3 ditë për t’u qetësuar nga tronditja e ndryshimit të ambientit.
Ditët e para do të ndihet konfuz, pasi ende nuk e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur. Mbase rri i përkulur në një qoshe, nuk ka oreks për ushqim e ujë, nuk luan, nuk vjen tek ju. Ndoshta po urinon në shtëpi ose nga frika ose ngaqë dëshiron të vendosë firmën në hapësirën e re. Jepini kohë, tregoni vendin ku do të flejë, jepini lodra, ushqim, ujë dhe lëreni të përshtatet. Provoni të bëni shëtitje jashtë tani që ai ka përfunduar me vaksinat e nevojshme.
3 javë për t’u përshtatur me mjedisin e ri.
Nëse deri më tani pjesën më të madhe e kalonte në një cep apo në shtrat, pa ardhur tek ju apo pa u gjallëruar, tani do të nisë të bëjë shëtitje të shkurtra zbulimi. Kurioziteti i tij do të zërë vendin e dyshimit se cili do të jetë fati i tij. Ai ka filluar të mendojë se ndoshta nuk do t’i kërkohet të largohet nga kjo shtëpi, se tani ai do të flejë në një dhomë dhe jo në një kafaz. Qeni do të fillojë të ndihet më rehat në shprehjen e karakterit të tij, ndaj do të shihni edhe ndonjë problem në sjellje, të cilin do t’ju duhet t’i zgjidhni menjëherë.
Gjërat që duhet të provoni në javët e para janë vendosja e tij në zinxhir, heqja e tasit të ushqimit prej tij, fillimi i një rutine të kujdesit në mënyrë që ai të ndjehet rehat kur preket.
3 muaj për të filluar ndërtimin e një marrëdhënie besimi me kujdestarin e ri.
Kjo është periudha ku ai mëson orarin e të ngrënit dhe të ecjes, por edhe oraret e njerëzve. Ai tund bishtin kur kthehesh në shtëpi, ul veshët kur largohesh dhe pret mbrëmjen për t’u shtrirë me ty në divan. Ai ndihet i sigurt me ju dhe jeta e strehimit është një gjë e së kaluarës.
Në cilat raste rregulli 3-3-3 mund të mos zbatohet
Qentë me përvoja traumatike si abuzimi dhe braktisja shpesh shfaqin sjellje të tilla si frika, ankthi dhe agresioni. Këto raste janë të ndryshme dhe mund të duhet më shumë kohë që qeni të përshtatet me shtëpinë e tij të re dhe të fillojë të krijojë marrëdhënie me kujdestarët e tij. Ndoshta një trajner do të ndihmonte për këtë, pra në rregullimin më të qetë të qenit dhe në zgjidhjen e problemeve që e bëjnë të vështirë për të të ndihet rehat dhe i lumtur.
/vizionplus.tv