Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar qeverisjen aktuale dhe mënyrën se si po trajtohet zgjedhja e presidentit.
Në një prononcim për media pas seancës solemne për Epopenë e UÇK-së, Çitaku ka theksuar se PDK ka qenë e gatshme për dialog dhe ka ofruar zgjidhje, por sipas saj, kërkesa e qeverisë për nënshkrim të vullnetit politik të kryeministrit Albin Kurti nuk është e pranueshme.
Çitaku: Kosova nuk është lodër fëmijësh
“Ky parlament dhe Kosova nuk është lodër fëmijësh, është ndërtuar me gjak, me mund, me sakrificë dhe ne si Parti Demokratike e Kosovës kemi bërë pjesën tonë të punës. Jemi përgjigjur pozitivisht kërkesave për takim, jemi munduar që të ofrojmë zgjidhje mirëpo çfarë është kërkuar nga ne është nënshkrim ndaj vullnetit politik të z. Kurti. Z. Kurti ka fituar 50 për qind të votave dhe për atë arsye qeveris i vetëm, e udhëheq Kuvendin mirëpo presidenti i Republikës duhet të jetë një grua apo burrë që përfaqëson unitetin qytetar dhe mbi të gjitha i çili, apo e cila do të ishte gardiane e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Çitaku.
Deputetja ka kritikuar gjithashtu vonesat në trajtimin e çështjeve reale të qytetarëve, duke theksuar se partitë po merren me postet dhe emrat e individëve.
Çitaku: Nuk mund të propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe siguruar kuorumin Kurtit
“Ne nuk mund të propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për të t`i ofruar dhe siguruar kourumin z. Albin Kurtit, ne kemi qenë të qartë. Ne kërkojmë që presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshjeve dhe jo imponimeve. Kosova ka nevojë për institucione, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe është në dorën e z. Kurtit që të reflektoj. Imagjinojeni tash e sa muaj ne vijmë këtu dhe flasim për poste, për emra të përvetshem, kush do të jetë kryetar kush do të jetë president, e në fakt, ne do të duhej të ishim këtu për të shkarkuar bordin e ZrrE-së, do të duhej të ishim këtu për të folur për brengat dhe hallet e qytetarëve të Kosovës”, nënvizoi Çitaku.
