
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha natyra e relacionit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk varet vetëm nga kush është në Shtëpinë e Bardhë, por edhe nga kush e drejton Qeverinë e Kosovës.
Ajo potencoi se në krye të vendit është një kryeministër në largim që e ka izoluar Kosovën.
Pas dështimit të seancës konstituive, Çitaku tha se është momenti i fundit që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë.
Çitaku: Fatkeqësisht kemi në krye të vendit një kryeministër në largim i cili e ka izoluar Kosovën
“Administrata e parë e presidentit Trump ka një trashëgimi pozitive në Ballkanin Perëndimor. Gjatë asaj administrate është bërë anëtarësimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO. Është bërë ushtria e Kosovës. Kemi pranuar njohje ndërkombëtare. Natyra e relacionit mes Kosovës dhe SHBA-së nuk diktohet vetëm nga kush është në shtëpi të bardhë, por diktohet edhe kush udhëheqë me qeverinë e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht kemi në krye të vendit një kryeministër në largim i cili e ka izoluar Kosovën. 26 vite pas luftës aleatët që na ndihmuan të çlirohemi e të ndërtojmë shtetin e kanë sanksionuar Kosovën”, Çitaku.
Para gazetarëve, Çitaku potencoi se Kosova është më e madhe sesa egoja e tij personale, derisa iu referua kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Çitaku: Është momenti i fundit që Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Kurti të reflektojë
“Është momenti i fundit që Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Kurti të reflektojë. Bota po ndryshon çdo ditë drastikisht dhe dramatikisht. Kosova nuk guxon të sillet me kësi lloj indiference dhe papërgjegjësie. I bëjmë apel zotrit Kurti që të reflektojë. Kosova është më e madhe sesa egoja e tij personale”, tha Çitaku.
Sot, ka dështuar për herë të tridhjetë e tretë seancë konstituive e Kuvendit të Kosovës.