Doktoresha e përgjithshme dhe kërkuesja shkencore Artemisa Gogollari, në emisionin “LIBERO” ka folur rreth konceptit psikologjik të fëmijës së brendshëm, duke theksuar se secili njeri mban brenda vetes një pjesë emocionale të lidhur ngushtë me përvojat e fëmijërisë.
Sipas saj “…fëmija i brendshëm është pjesë e sistemit tonë nervor që ruan kujtime nga e kaluara…”, dhe këto kujtime lidhen shpesh me mënyrën se si jemi rritur apo si jemi trajtuar nga personat e afërt në fëmijëri.
Gogollari theksoi se gjatë viteve të para të jetës, fëmijët përballen me gabime dhe situata ku mund të kritikohen apo fajësohen. Në këto momente, sipas saj, fëmija fillon të ndiejë frikën se po e humbet dashurinë e prindit.
“…Kur fëmijës i duket sikur e humbet dashurinë, fëmija asnjëherë nuk ia heq dashurinë prindit. Fëmija gjithmonë e do prindin — ai ia heq dashurinë vetes…” u shpreh ajo.
Sipas saj, zërat kritikë të brendshëm që shumë njerëz përjetojnë, nuk janë zëri i tyre i vërtetë, por jehona e mesazheve të marra nga e kaluara:
“…Çdo kritikë, çdo gjykim i brendshëm – nuk je ti. Janë fjalët e prindërve, të njerëzve, të shoqërisë…”, tha ajo derisa theksoi se njeriu në thelb, nuk do ta dëmtonte apo ta kritikonte veten po të mos ishte sistemi nervor që ka regjistruar dhe ruajtur ato përvoja të hershme.
Vlen ta përmendim që sipas doktoreshës Artemisa Gogollarit 10 shenjat që fëmija i brendshëm është i pashëruar janë: “1. Reagime të ekzagjëruara emocionale, 2. Paternalizëm të përsëritur në marrëdhënie, 3. Mungesa e kufijve, 4. Faj dhe turp i tepruar, 5. Vetësabotim, 6. Varësi emocionale, 7. Ndjenjë e thellë e pamjaftueshmërisë, 8. Frikë nga braktisja, 9. Probleme me besimin, 10. Projektimi i ndjenjave”!
Për ta shikuar intervistën e plotë të Artemisa Gogollarit, klikoni në linkun e mëposhtëm:


