Lajme

Çmimet e naftës ende të larta në Kosovë

Çmimet e derivateve të naftës vazhdojnë të mbeten të larta në tregun vendor.

Aktualisht, një litër naftë ka arritur deri në 1.91 euro, ndërsa benzina 1.47 euro për litër.

Sipas Doganës, rreth 200 milionë litra karburant janë importuar në vend gjatë periudhës janar-prill.

Importet kryesore të derivateve rezultojnë të jenë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Greqia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Gjermania e vende tjera që vazhdojnë të mbesin burimet kryesore të furnizimit me karburant për tregun vendor.

Ekspertët e energjetikës theksojnë se Kosova vazhdon të ndikohet nga zhvillimet globale për shkak të varësisë nga importi i naftës, duke nënvizuar nevojën për mbikëqyrje më të madhe institucionale.

“Sa i përket çmimit të naftës, mbikëqyrja duhet të jetë më e madhe, më e shpejtë dhe më transparente. Kur ka rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, ajo reflektohet menjëherë edhe në tregun e Kosovës, ndërsa kur ka ulje, ajo reflektohet më ngadalë. Prandaj, institucionet duhet të jenë më aktive dhe monitorimi të jetë më korrekt, në mënyrë që konsumatorët të jenë të informuar se çfarë po ndodh me çmimet e naftës”, ka thënë Ismet Mulaj, njohës i çështjeve të energjetikës.

Edhe nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës së fundmi u vlerësua se, nëse situata qëndron e qetë, çmimet mund të bien gradualisht.

Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, u shpreh se në ditët në vijim pret stabilizim të çmimeve, megjithëse kjo varet nga zhvillimet në Lindjen e Mesme. Ajo theksoi se me stabilizimin e situatës do të rishikohen edhe vendimet e ministrisë për caktimin e marzhës së fitimit.

“Uroj që stabilizimi i çmimeve të naftës të vazhdojë në ditët në vijim, por kjo varet nga rrethanat në Lindjen e Mesme. Është shumë e rëndësishme që mekanizmi ynë deri më tani ka dhënë rezultatet e veta, ndonëse jo në nivelin 100%. Ka pasur lëvizje të çmimeve, por në momentin kur do të kemi qarkullim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mungesë ndikimi në tregjet ndërkombëtare, atëherë edhe në Kosovë do të hiqet mekanizmi i përcaktimit të marzhës. Megjithatë, duhet ende kohë për të vlerësuar nëse jemi kthyer në një situatë normale apo nëse ekziston ende rreziku i destabilitetit”, ka thënë Kusari-Lila.

Kujtojmë që dje u shënua një rënie në çmimin e naftës në bursën ndërkombëtare pas marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, teksa sot vërehet një rritje në çmimin e karburanteve edhe në tregjet ndërkombëtare.

Të Ngjashme