Çmimi i naftës është ngritur sërish në rreth 100 dollarë, ndërsa raportohen shpërthime në dy anije të tjera të huaja në Gjirin Persik.
Kjo, pavarësisht se vendet e mëdha ranë dakord të lirojnë një sasi rekord nafte nga rezervat e tyre të emergjencës në një përpjekje për të qetësuar tregjet, shkruan BBC.
Rritja e çmimit vjen mes tensioneve të shtuara në Lindjen e Mesme dhe sulmeve të përsëritura ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturës energjetike në rajon. Autoritetet detare raportuan se dy cisterna karburanti u goditën në ujërat pranë Irakut, ndërsa një prej tyre u përfshi nga flakët pas një shpërthimi.
Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, disa institucione financiare ndërkombëtare paralajmërojnë se nëse përshkallëzimi i konfliktit në rajon vazhdon dhe transporti i naftës në Gjirin Persik pengohet më tej, çmimi i naftës mund të rritet edhe më shumë gjatë javëve në vijim, duke ndikuar në inflacion dhe koston e energjisë në shumë vende të botës.
