3
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka hapur zyrtarisht procesin vjetor të azhurnimit të të hyrave dhe tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, një procedurë që përcakton nëse dhe sa do të ndryshojë çmimi i rrymës për konsumatorët në Kosovë, shkruan Demokracia.com.
Në raportin zyrtar të datës 12 dhjetor 2025, të nënshkruar nga kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, rregullatori u ka kërkuar operatorëve kryesorë të sektorit – KEDS (Operator i Sistemit të Shpërndarjes), KESCO (Furnizues me Shërbim Universal) dhe KOSTT (Operator i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut) që të dorëzojnë të dhënat financiare dhe operative për vitin 2025, si bazë për përcaktimin e tarifave të reja që pritet të hyjnë në fuqi më 1 prill 2026.
Moneytizer Paragrafi 2

Dokumenti i ZRRE-së shënon fillimin formal të procesit tarifor, nga i cili zakonisht burojnë ndryshimet e çmimit të rrymës.
Moneytizer Paragrafi 4
ZRRE thekson se qëllimi i këtij procesi është që të Hyrat e Lejuara Maksimale të operatorëve të jenë në përputhje me kostot reale dhe parashikimet financiare. Kjo nënkupton se dallimet mes kostove të planifikuara dhe atyre të realizuara gjatë vitit 2025 do të reflektohen në tarifat e vitit 2026.
Çfarë duhet të raportojë KEDS dhe çfarë do të vlerësojë ZRRE
Sipas orarit indikativ, KEDS dhe KOSTT duhet që deri më 23 janar 2026 t’i dorëzojnë ZRRE-së të dhënat për:
humbjet e energjisë elektrike;
shpenzimet operative (OPEX);
kostot e bartshme;
faktorët korrigjues të të hyrave;
si dhe çdo përshtatje tjetër të paraparë me Rregullat e të Hyrave.
Pas analizimit të këtyre të dhënave, ZRRE do të përcaktojë nëse kostot e raportuara janë të arsyeshme dhe të justifikuara, apo nëse një pjesë e tyre nuk do të pranohet për t’u reflektuar në tarifa.
Në praktikë, raportimi i humbjeve të larta teknike dhe komerciale apo i rritjes së shpenzimeve operative ka qenë një nga arsyet kryesore që operatorët të kërkojnë të hyra më të larta, të cilat më pas përkthehen në tarifa më të shtrenjta për konsumatorët.
Një pjesë e rëndësishme e këtij njoftimi lidhet me Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO). ZRRE rikujton se, bazuar në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme, shërbimi universal nuk mund të aplikohet pa kriter.
Sipas rregullatorit, të drejtën e shërbimit universal e gëzojnë vetëm konsumatorët familjarë dhe ndërmarrjet e vogla, me më pak se 50 punonjës dhe qarkullim vjetor ose bilanc jo më shumë se 10 milionë euro.
ZRRE kërkon që ky interpretim i Gjykatës Supreme të reflektohet drejtpërdrejt në aplikimet tarifore të ardhshme të KESCO-s, duke sinjalizuar se zgjerimi i paarsyeshëm i shërbimit universal nuk do të tolerohet si bazë për rritje të kostove dhe tarifave.
Kur merren vendimet?
Sipas afateve të përcaktuara: më 13 shkurt 2026, ZRRE do t’i njoftojë operatorët për vlerësimin paraprak të të hyrave; deri më 10 mars 2026, operatorët duhet të dorëzojnë propozimet konkrete për tarifa; tarifat e reja, nëse miratohen, pritet të hyjnë në fuqi më 1 prill 2026.
ZRRE ka paralajmëruar se për qëllime transparence do të publikojë aplikimet tarifore të operatorëve, duke u hapur rrugë komenteve nga publiku dhe palët e interesit.
Megjithëse nuk ka ende vendim për shtrenjtim të rrymës, dokumenti i ZRRE-së tregon qartë se procesi që përcakton çmimin e energjisë për vitin 2026 ka nisur. Në javët dhe muajt në vijim, vëmendja do të jetë te shifrat që do të dorëzojnë KEDS dhe KESCO, veçanërisht te humbjet e energjisë dhe kostot operative, të cilat zakonisht janë faktorët kryesorë që ndikojnë në faturën përfundimtare të konsumatorëve.
Vendimi final do të tregojë nëse qytetarët do të përballen me tarifa të reja, apo nëse ZRRE do të arrijë t’i mbajë çmimet nën kontroll duke mos pranuar kosto të pajustifikuara.
Në prapavijë të këtij procesi, shtrenjtimi i energjisë elektrike shihet si pothuajse i pashmangshëm për shkak të varësisë së lartë nga importi. Furnizuesi me Shërbim Universal, KESCO, ka blerë sasi të konsiderueshme të energjisë nga importi gjatë vitit 2025, me çmime dukshëm më të larta sesa prodhimi vendor. Duke qenë se KESCO është operator i rregulluar dhe kostot e importit reflektohen drejtpërdrejt në aplikimet tarifore, dhe përkthehet automatikisht në presion për rritje të tarifave për konsumatorët në Kosovë.

