Aktori i njohur Çun Lajçi i ka drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë dhe kritik kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, pas deklaratave të tij lidhur me mundësinë e formimit të qeverisë pa Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një reagim publik, Lajçi ka vlerësuar se pikërisht kjo qasje shpjegon humbjen elektorale të Haradinajt dhe të partive të tjera opozitare.
Ai ka kritikuar thirrjen për krijimin e qeverisë nga subjektet që, sipas tij, kanë humbur zgjedhjet, pa pritur qëndrimin e partisë që ka fituar besimin e shumicës së qytetarëve.
Postimi i plotë:
I dashtuni Ramush,
Po e lexoj atë që e paske shkrue
“PDK,LDK,AAK mund ta bëjnë Qeverinë pa Kurtin” dhe aty po e shoh arsyen e humbjes tande
dhe të dy partive tjera.
Por nji gja po ta thotë ky plaku artist,
që t’ka dashtë pa shibla
e pa hesap pushteti:
Vetëm njeriu i unt për pushtet
ngutet me folë
dhe s’priton me u koritë,
tue i thirrë partitë humbëse
me ba qeveri,
pa e pritë fjalën e asaj që e fitoi besimin e popullit
me gati gjysmën e votës.
A e sheh tash sa “i zgjuet” del?
A e sheh pse populli po t’ndan prej vetes?
Sepse populli, Ramush,
edhe kur humb, di me pritë;
edhe kur s’fiton, di me u përmbajtë;
ndërsa nxitimi për pushtet
asht gjithmonë shenja e fundit
para rënies.
29.12.2025

