Lajme

Dalin bisedat e Lajçak me Epstein – komente për gratë dhe takimi me Lavrov

Dokumente të reja të publikuara të premten kanë zbuluar shkëmbime mesazhesh mes ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë dhe ish- kryengociatorit për dialogun Kosovw – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, duke nxitur reagime të forta politike në Sllovaki.

Mesazhet, që datojnë nga tetori i vitit 2018, kur Lajçak ishte ende në detyrë, përmbajnë biseda me tone të lehta dhe komente për gratë, si dhe referenca për një takim të ardhshëm me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Në disa prej tyre, Epstein dhe Lajçak shkëmbejnë shaka që janë cilësuar si të papërshtatshme, ndërsa përmenden edhe persona të rinj në moshë, shkruan BBC.

Në një email të veçantë nga nëntori i vitit 2017, Lajçak i kishte kërkuar Epstein-it ndihmë për të mbështetur një producente filmi që filmi i saj të përfshihej në listën e ngushtë për çmimet Oscar.

Pas publikimit të dosjeve, Lajçak fillimisht mohoi se kishte diskutuar për gratë me Epstein-in, por më pas njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqjen, duke deklaruar se dëshironte të shmangte dëmtimin politik të kryeministrit Robert Fico.

Nga ana e tij, Fico e cilësoi reagimin publik ndaj lidhjeve të Lajçakut me Epstein-in si “një sulm politik” dhe akuzoi kritikët për hipokrizi.

Lajçak ka shërbyer në katër qeveri sllovake, tri prej tyre të udhëhequra nga Fico, si dhe në role të rëndësishme diplomatike ndërkombëtare. Së fundmi, ai mbante postin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Publikimi i dosjeve është pjesë e një vale të gjerë dokumentesh që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e Jeffrey Epstein-it, i cili vdiq në vitin 2019 në paraburgim ndërsa përballej me akuza për trafikim seksual, me një sërë figurash të njohura ndërkombëtare, përfshirë politikanë, biznesmenë dhe anëtarë të familjeve mbretërore.

Të Ngjashme