“Më lër të flas” nisi të premten si rrallë herë me një lidhje ‘live’ nga Korça, aty ku aktorët e “Në kuadër të dashurisë” vazhdojnë xhirimet. Binjakët Romeo dhe Donald Veshaj ndërprenë për pak sekonda xhirimet, teksa kamera u afrua te protagonistët Olta Gixhari dhe Luiz Ejlli. Në të njëjtën tavolinë me ta qëndrojnë aktorët e mirënjohur Zamira Kita dhe Ndriçim Xhepa.
Ky film do të jetë një komedi romantike, ku nuk do të mungojnë të qeshurat, por as lotët. “Në kuadër të dashurisë” shfaq një histori dashurie në kohët moderne që ndërlidh jetët e dy njerëzve dhe të familjeve të tyre.
Një çift i martuar prej vitesh janë në buzë të ndarjes. E ndërsa përgatisin letrat e divorcit, një ftesë i’u vjen nga mamaja e vajzës për një festë surprizë ditëlindjeje. Të gjendur para sikletit, çifti vendos të lënë Tiranën, e të nisen në Korçë, në këtë vizitë e cila bashkon familjet e të dyja palëve. Pikërisht kjo vizitë do t’i tregojë atyre të vërteta të hidhura për veten dhe njerëzit e afërt duke bërë të ri-mendojnë edhe njëherë gjithçka.
Në role kryesore janë Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari, dy ndër personazhet më të komentuar prej disa muajsh tanimë. Nga ‘rivalë’ në shtëpinë e “Big Brother VIP”, ata vijnë tashmë si burrë dhe grua në filmin që parashikohet të thyejë rekorde.