Aktuale

Dalin tre emrat fitues në garën për Drejtor të Përgjithshëm, ja kush kryeson listën që i ka shkuar kryeministrit

Sipas burimeve brenda ministrisë së Brendshme mësohet se kandidatura që ka fituar më shumë pikë në konkursin për postin e Drejtorit të Përgjithshmëm të Policisë është Tonin Voci, i cili është renditur i pari, ndërkohë që pas tij është Panganika që është vlerësuar me pikavarazh të lartë.

Tre emrat e parë në listë janë dërguar nga ministri i Brendshëm, Lamallari në tavolinën e kryeministrit, i cili do të vendosë emrin e kandidatit fitues sipas preferencës së tij.

Gara për kandidatët

Largimi i Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë së Shtetit më 1 mars hapi zyrtarisht garën për zgjedhjen e kryepolicit të ri, një proces që tashmë ka hyrë në fazën më vendimtare. Pas filtrit të aplikimeve dhe verifikimeve ligjore, këtë të martë në Ministrinë e Brendshme u zhvillua “testi final” për 14 kandidatët e mbetur në garë. Dy aplikante gra u skualifikuan që në nisje, pasi ligji kërkon që kandidatët të jenë pjesë e strukturave të policisë.

Intervistimet nisën sipas rendit alfabetik me drejtorin aktual të Policisë së Durrësit, Afrim Tafa, një emër i ri në nivelet e larta drejtuese, por i përfolur për një ngjitje të shpejtë. Pas tij, në garë u paraqitën Alfred Çepe dhe Arjanit Arapi, ndërsa një nga emrat më të fortë, Elidon Çela, drejtues i Policisë së Vlorës, prezantoi platformën e tij për postin më të lartë. Lista vijoi me figura me peshë në radhët e bluve si Gentian Berberi i Shkodrës, Gentjan Shehaj dhe ish-drejtori i Policisë Kriminale, Idajet Faskaj. Për intervistë erdhir Lorenc Panganika, ish-drejtor i Tiranës dhe Fierit, i konsideruar pretendent seriozë, ndjekur nga kreu aktual i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati. Në garë hynë gjithashtu edhe Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi dhe Saimir Boshnjaku, ky i fundit i larguar së fundmi nga drejtimi i Kufirit dhe Migracionit. Në fund të listës, por jo më pak të rëndësishëm, u paraqitën Skënder Hita, drejtues i Policisë së Fierit, dhe Tonin Vocaj, ish-drejtor i Policisë Kriminale dhe i Tiranës, të dy emra me peshë që shihen si kandidatë potencialë për finalen.

Komisioni i posaçëm, i përbërë nga zv.ministrja e Brendshme Silva Caka, sekretarja e Përgjithshme Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj, ka në dispozicion 48 orë për të pikëzuar kandidatët. Deri më 26 mars, ata do t’i dorëzojnë ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, listën me tre më të vlerësuarit. Megjithatë, vendimi final mbetet në dorë të ministrit, i cili mund të përzgjedhë cilindo prej 3 kandidatëve më të pikëzuar me një relacion argumentues për t’ia propozuar Këshillit të Ministrave, pavarësisht renditjes. Procesi u zhvillua nën vëmendje të lartë diplomatike. Gjatë ditës, në Ministrinë e Brendshme u pa edhe e ngarkuara me punë e SHBA-së, Nensi VanHorn, ndërsa në orët e drekës mbërriti edhe ambasadori britanik, duke shtuar interesin dhe peshën ndërkombëtare mbi këtë garë kyçe për drejtimin e Policisë së Shtetit.

Lista e plotë e kandidatëve

Afrim Tafa

Alfred Çepe

Arjanit Arapi

Elidon Çela

Gentian Berberi

Gentjan Shehaj

Idajet Faskaj

Lorenc Panganika

Neritan Nallbati

Pëllumb Seferi

Rebani Jaupi

Saimir Boshnjaku

Skënder Hitaj

Tonin Vocaj

Të Ngjashme