Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Danimarka dërgon paisje dhe trupa të avancuar në Grenlandë mes kërcënimeve për pushtim

Danimarka ka filluar të vendosë pajisje ushtarake dhe trupa të përparuara në Grenlandë, mes tensioneve në rritje mbi rëndësinë strategjike të ishullit Arktik dhe retorikës kwrcwnuese nga SHBA-ja, sipas raportimeve të medias daneze.

Një komandë paraprake është dërguar tashmë në Grenlandë për të përgatitur logjistikën dhe infrastrukturën për mbërritjen e mundshme të forcave më të mëdha daneze dhe aleate, raportoi të mërkurën transmetuesi lokal DR.

Roli i njësisë së përparuar përfshin sigurimin që objektet dhe linjat e furnizimit të jenë gati për të pritur forcat kryesore në një fazë të mëvonshme.

Përforcimet pritet të përfshijnë ushtarë nga njësitë e Ushtrisë Daneze, me synimin për të forcuar praninë e Forcave të Armatosura Daneze në ishull.

Megjithatë, pjesa më e madhe e aftësisë luftarake të mbetur të Danimarkës është aktualisht e angazhuar në misionet e NATO-s në shtetet baltike.

Sipas zëdhënësit të partisë së majtë daneze Enhedslisten, trupave daneze së shpejti do t’u bashkohen edhe forca ndërkombëtare.

“Kjo është diçka që e kemi kërkuar gjatë javës së kaluar. Është një veprim i mençur. Dhe unë e kuptoj që trupa nga vende të tjera evropiane janë gjithashtu në rrugën e tyre për në Grenlandë. Dhe është sinjali i duhur për t’i dërguar çdo fuqie të madhe që mund të ketë idenë e keqe për të sulmuar Grenlandën”, i tha ai DR.

Grenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale.

Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar propozimet për të shitur territorin, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.