
Në Poligonin e Stërvitjes në Babaj të Bokës, Gjakovë sot është zhvilluar Dita e Vizitorëve të Shquar (DV Day), si pjesë e ushtrimit ndërkombëtar shumëkombësh “Defender Europe 25”. Përmes këtij ushtrimi u tha se Kosova ka dëshmuar se është e gatshme për të qenë anëtare e aleancës veri-atlantike NATO-s.
Në këtë ushtrim ushtarak ku Kosova përveçse si nikoqire, merr pjesë edhe afërsisht me një mijë pjesëtarë të FSK-së, janë të përfshirë edhe 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.
Gjatë ditës së sotme pjesëtarë të FSK-së përmes skenarëve operativë të përgatitur enkas për këtë ditë, siç është bërë e ditur, Forca e Sigurisë së Kosovës po demonstron gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë me forcat partnere dhe ato të rajonit.
Në ushtrim po marrin pjesë edhe forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Nga afër këtë ushtrim ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës e përcollën komandantja supreme e FSK-së, Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përfaqësues të vendeve të NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë, ambasadorë, si dhe oficerë të lartë nga Forca e Sigurisë së Kosovës e shtete pjesëmarrëse në ushtrim.
Komandantja supreme, Vjosa Osmani tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar se është e gatshme jo vetëm të kontribuojmë në operacione të tilla, por njëkohësisht që të jemi shtet i barabartë, shtet anëtar i NATO-s.
Ajo shtoi se sot edhe njëherë FSK dëshmoi në përmasa më të mëdha ndërveprueshmërinë me forcat aleate.
Osmani: Kosova e ka dëshmuar se është aleat besnik
“Edhe në Defender 2025, Republika e Kosovës e ka dëshmuar se është aleat besnik, aleat i përgatitur në përputhje me forcat e NATO-s dhe aleat që është i gatshëm të ndërveprojë me forcat më profesionale, ato nga SHBA-të, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe nga shtetet që kanë qenë prezente… këto forca tona e kanë dëshmuar se jemi të gatshëm jo vetëm të kontribuojmë në operacione të tilla, por njëkohësisht që të jemi shtet i barabartë, shtet anëtar i aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake, pra Aleancës së NATO-s”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “Defender 2025”, është dëshmi e fuqishme e aleancës së palëkundur ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Osmani: Aleanca e palëkundur në mes Kosovës dhe SHBA-së
“Defender 2025 është dëshmi e fuqishme e aleancës së palëkundur ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.
Ushtrimin ushtarak të pjesëtarëve të FSK-së në kuadër të “Defender Europe 2025”, e përcolli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili deklaroi se sot u demonstrua fuqia dhe ndërveprueshmëria e FSK-së me NATO-n.
Sipas tij, me këto mënyra po forcohet kauza e Kosovës për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.
Kurti: Ky armatim është blerë gjatë tri viteve
“Kemi arritur që të tregojmë të demonstrojmë fuqinë tonë, ndërveprueshmërinë që e kemi në NATO-n dhe në këtë mënyrë ta forcojmë kauzën tonë që anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin të cilin do ta japim…. bashkëpunimi dhe ushtrimi e nxjerrin më të mirën edhe të ushtrisë edhe të ushtarakëve dhe kjo është parë në këto gati 10 ditë prej kur ka filluar ‘Defender Europe 2025’. I gjithë ky armatim që po e shihni këtu të demonstruar është blerë gjatë këtyre tri viteve të fundit përveç një automatiku Heckler Koch…. ne e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, i kemi katërfishuar ushtrimet jashtë vendit, e kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë lavdëroi edhe ushtarakët kosovarë.
Kurti: Poligoni po bëhet ndër më të mirët në rajon
“Gjatë këtij ushtrimi ju e patë se sa të zot janë ushtarakët tanë, por gjithashtu kemi nderin dhe kënaqësinë të jemi në këtë poligon i cili si zonë e trajnimit po bëhet ndër më të mirat në rajon dhe më gjerë”, theksoi ai.
Shefi i shtabit të ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë, Levon Cumpton tha se aftësia për të realizuar ndërveprueshmëri dhe për të ndërtuar gatishmëri së bashku jo vetëm që siguron siguri dhe stabilitet rajonal, por ka ndikim edhe më të gjerë.
Cumpton: trajnime të tilla sigurojnë rajonin
“Jemi mirënjohës për gjeneralin, për marrëdhënien me Divizionin e 28-të të Këmbësorisë që është këtu dhe për Programin e Partneritetit Shtetëror të Gardës Kombëtare, i cili ka qenë aktiv për shumë vite dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Aftësia për të realizuar ndërveprueshmëri dhe për të ndërtuar gatishmëri së bashku jo vetëm që siguron siguri dhe stabilitet rajonal, por ka ndikim edhe më të gjerë. Faleminderit që jeni një pritës i mrekullueshëm. Faleminderit për udhëheqjen tuaj këtu në Kosovë dhe është nder për ne të jemi pjesë e këtij bashkëpunimi”, tha ai.
Komandanti i Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së ushtrisë amerikane, gjeneral major, Micheal Ëegscheider tha se përmes këtyre stërvitjeve është demonstruar ndërveprueshmëri e plotë.
Sipas tij, heronjtë e vërtetë të kësaj stërvitjeje, ku morën pjesë 18 shtete, janë populli i Kosovës, stafi dhe oficerët e FSK-së nën udhëheqjen e gjeneral Jasharit.
Wegscheider: Heronjtë e vërtetë të kësaj stërvitjeje janë oficerët e FSK-së
“Kemi komanduar nga Shtetet e Bashkuara kontinentale, përtej oqeanit, drejt postit komandues taktik këtu në Gjakovë, me katër brigada shumëkombëshe nga Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia të përfshira në këtë stërvitje për të demonstruar dhe vlerësuar aftësitë. Ne kemi arritur sukses. Sipas mendimit tim, kemi dëshmuar ndërveprueshmëri të plotë. Do të përfundoj me këtë: Kam qenë këtu shumë herë në këtë vend të bukur dhe sa herë që kthehem, mbetem i mahnitur. Kam kaluar disa vite të jetës sime këtu. Heronjtë e vërtetë të kësaj stërvitjeje, ku morën pjesë 18 shtete, janë populli i Kosovës, stafi dhe oficerët e FSK-së nën udhëheqjen e gjeneral Jasharit, si dhe ushtarët e FSK-së që ndodhen 5,000 metra larg në këtë luginë në jug, duke u djersitur dhe duke dëshmuar aftësitë dhe vendosmërinë e tyre të fortë”, tha ai.
Krahas ushtrimit ushtarak, në poligonin e stërvitjes në Babaj të Bokës u prezantuan edhe pajisjet ushtarake më moderne që i ka Kosova, ku nga afër i inspektuan edhe krerët shtetërorë.
Ushtrimi “Defender Europe 2025”, në Kosovë ka nisur nga 26 maj 2025 dhe do të përfundojë më 9 qershor.