Lajme

“Dëgjoje si janë jehonat e lirisë”, gruaja e Agim Ramadanit rrëfen momentet më emocionuese me Katanën

Sot shënohen 27 vjet nga rënia e luftëtarit dhe Heroit të Kosovës, Agim Ramadani.

Në akademinë përkujtimore kushtuar tij, bashkëshortja, Shukrije Ramadani, ka ndarë për Klan Kosova një nga momentet më emocionale që kishte përjetuar me Ramadanin gjatë luftës.

Ajo ka treguar se një nga kujtimet më të forta lidhet me një telefonatë nga fronti, kur Ramadani i kishte hapur altoparlantin në momentin e bombardimeve të para të NATO-s më 24 mars 1999.

“Një nga momentet më emocionale ka qenë kur më ka thirrur Agimi nga fronti dhe e ka hapur altoparlantin. Kam dëgjuar bombardimet e para të NATO-s dhe zëri i tij ishte jashtëzakonisht emocionues. Më tha, ‘Unë po e shoh lirinë… dëgjoje si janë jehonat e lirisë’. Ai moment nuk harrohet kurrë”, ka rrëfyer ajo në një intervistë me gazetarin Kastriot Tahiri.

Shukrije Ramadani ka folur edhe për një video që ka qarkulluar në rrjete sociale, ku Ramadani dëgjohet duke thënë “Fisnike, liria po vjen”, duke zbuluar rrethanat në të cilat ishte realizuar ajo.

Siç tregoi ajo për Klanin, ishte hera e fundit kur ai kishte qenë në Zvicër, ku kishte shkuar për të marrë ushtarë dhe armatim, ndonëse në gjendje të rënduar shëndetësore.

“Ka qenë shumë i sëmurë, me temperaturë dhe pa gjumë për më shumë se 48 orë. Kur dëgjoi zhvillimet në front, u gëzua shumë dhe më thirri duke më thënë, ‘Fisnike, liria po vjen, e fituam’”, ka treguar ajo.

Të Ngjashme