Lajme

Deklarata e fortë e analistit për protestën e 17 shkurtit: Po shfrytëzohet për…

Më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë u mbajt një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.

Qytetarë, përfaqësues politikë dhe familjarë të të akuzuarve u mblodhën për të shprehur solidaritet dhe për të kërkuar drejtësi të paanshme për katër të akuzuarit, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare.

Analisti Rexhep Shahu, për “Bota sot”, shprehet se protestat nuk i ndihmojnë krerët e UÇK-së që gjykohen në Hagë dhe se asnjë presion turme nuk ndikon në vendimet e gjykatës.

Sipas tij, protesta po shfrytëzohet nga aktorë të tjerë për interesa të tyre, ndërsa thekson se Gjykata Speciale është ngritur nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

“Protesta nuk i ndihmon krerët e UÇK-së që gjykohen në Hagë. Protesta faktorizon tjetërkënd, bëhet për tjetërkënd që fiton në kurriz të 4 personave në Hagë.

Asnjë presion turme nuk ndikon dot në gjykatë. Atje janë 4 emra që nuk janë Kosova as UÇK. Nëse Kosova dhe UÇK janë ata 4 emra, kurrë pa u dënuar e faruar mos mbettë. Protesta është politikë e njerëzve që nuk dinë të bëjnë tjetër veç të luajnë derën.

Gjykata e Hagës në fund të fundit është ngritur nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, ata janë në thelb krijuesit e asaj gjykate dhe nuk mundet me i dashur askush ata të dy më shumë se e duan ata veten e tyre.

Aktorët e tjerë e përdorin protestën për hallet e tyre, po jo si dashuri për të akuzuarit”, thotë ai.

Sipas tij, protestat në mbrojtje të të akuzuarve në Hagë janë presione jo demokratike që nuk ndikojnë në gjykatë.

Ai thotë se pjesëmarrja e figurave publike nuk i jep peshë protestës dhe thekson se drejtësia duhet të veprojë pa presion, ndërsa përmend edhe akuzat e Dick Marty dhe emrin e Hashim Thaçi.

“Tallava protesta janë këto gjoja në emër të mbrojtjes së 4 të akuzuarve. Këto janë tubime komuniste, presione jo demokratike ndaj gjykatës. Kosova është tashmë shtet dhe drejtësia nuk vendoset në udhë e sheshe me britma e brohorima.

Nuk mendoj se janë kushte që shtojnë apo pakësojnë lavdi, famë apo jo pjesëmarrja e familjes Adem Jashari në një miting apo protestë.

As pjesëmarrja e presidentes a kryeministrit. Sepse nuk i japin më shumë ngjyrë se sa ka protesta.

Gjykata nuk impresionohet nga presioni i udhës. Nuk besoj se jemi model për Europën me këto protesta të njerëzve që protestojnë për të kompensuar diçka që ia kanë borxh vetes.

Benzinë për këto tallava protesta ishin edhe fjalimet e ca dëshmitarëve të paguar për të thënë të pavërteta si Rubini që po të ishte paguar edhe pak më shumë do të na e paraqiste Hashim Thaçi si grua e jo burrë.

Shpresoj që drejtësia do të bëhet që askush i fajshëm të mos shpëtojë e askush i pafajshëm të mos dënohet. Më mirë njëqind fajtorë të jenë të lirë se sa një i pafajshëm të burgoset.

Për akuzat e Dik Martit unë kam bërë shkrimin atë ditë që ka dalë lajmi se jam gati që duart e mia të vihen në një palë pranga me duart e Hashim Thaçi” – përfundoi ai.

Të Ngjashme