Një deklaratë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhënë për mediumin lokal Radio Gorazhdeci, që sipas tij, dhënia e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit është bërë vetëm për të nga kryeministri Albin Kurti, ka nxitur reagime te partitë opozitare. Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këto deklarata dhe reagime.
E ndaj kësaj deklarate kanë reaguar përfaqësuesit e partive politike. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar në Facebook. Ajo që dikur përdorej për dramë politike, në pushtet u bë një vendim i thjeshtë. Kaq serioze paska qenë gjithë ajo dramë politike, ka shkruar Deliu.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një intervistë për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdec, ka folur lidhur me vendimin e dhënies së 25 hektarëve Manastirit Të Deçanit, që në vitin 2024 kryeministri Albin Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë Manastirit të Deçani pasi kjo ishte vendimtare për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, transmeton rtklive.
“Atë ditë kur më ka dëgjuar, unë kam qenë shumë i lumtur. Atë ditë kemi pas mbledhjen e qeverisë, e kemi biseduar atë temë disa herë më herët, dhe atë ditë kryeministri më pyeti nëse do të mund të vija më herët, unë i thash po, do të vij. Ai më tha se që shumë ka menduar për atë temë, dhe na duhet kjo, por dije që është për ty, pra dije që vetëm për ty. Dhe unë jam ndjerë shumë mirë, sepse e dini si ndiheni kur ia del të bëni diçka të madhe që nuk është materialiste”, thotë Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar në rrjete sociale, se deklarata e Rashiq e zhvesh plotësisht Kurtin nga retorika e tij mashtruese.
Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar në Facebook. Ai ka thënë se nëse këtë nuk e demanton Kurti, kjo përbën më shumë se tradhti kombëtare.
