Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë më 27 shkurt do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Seanca është planifikuar të fillojë në orën 09:30 dhe të përfundojë në orën 16:00, njoftoi Gjykata Speciale.
Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.
