Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka lëshuar kritika të forta ndaj Izraelit gjatë mesazhit të tij me rastin e Fitër Bajrami, duke e akuzuar për përgjegjësi në humbjen e qindra mijëra jetëve dhe duke paralajmëruar se “do ta paguajë çmimin për këtë”.
Në fjalimin e mbajtur pas përfundimit të muajit të Ramazani, Erdoğan u ndal te situata e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe sfidat me të cilat përballet bota islame.
Ai bëri thirrje për unitet dhe solidaritet mes myslimanëve, ndërsa kërkoi mbrojtje nga kërcënimet dhe fatkeqësitë që, sipas tij, burojnë nga Izraeli.
Presidenti turk theksoi gjithashtu se rajoni “po vlon”, duke nënvizuar nevojën për stabilitet dhe bashkëpunim ndërmjet vendeve.
Në përfundim, ai uroi besimtarët myslimanë për festën, duke shprehur shpresën që ajo të shërbejë si një moment reflektimi dhe rilindjeje për mbarë botën islame.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Turqisë dhe Izraelit, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Gaza dhe në rajonin përreth.
