Mbrëmë ka përfunduar afati për deklarimin e pasurisë të zyrtarëve publik.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se deri në orën 16:00 të së martës, 94.73% e zyrtarëve kanë deklaruar, ndërsa mbi 500 raste mbeten të papërfunduara ose të pa filluara.
Mbi 10 mijë e 350 zyrtarë janë të obliguar për deklarimin e pasurisë.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj tregoi në një intervistë dhënë një ditë më parë se gjobat për mosdeklarim janë të shkallëzuara në bazë të pagës së zyrtarëve.
“Ligji e ka paraparë që gjoba, e cila shqiptohet në mënyrë mandatore nga Agjencia, të jetë e shkallëzuar varësisht nga paga që pranon zyrtari. Në qoftë se një zyrtar e ka një pagë më të lartë, për shembull 1500 euro, gjoba për të është rreth 500 euro. Për dikë tjetër që e ka më të vogël, në qoftë se është po thojmë 1000 euro, gjoba do të jetë 300 euro. Do të thotë është e shkallëzuar varësisht, është në bazë të pagës, jo pagës mesatare, por pagës reale që zyrtari pranon në bazë mujore. Ata që kanë paga më të vogla, normal që kanë edhe gjobë më të vogël. Por, sidoqoftë, çfarëdo gjobë që pranohet, duke pasur parasysh që edhe në sektorin publik nuk ka pagë më të vogël se po besoj rreth 500 euro, gjoba minimale do të jetë mbi 150 euro, që është shumë goxha e madhe dhe substanciale për secilin qytetar të Kosovës, për më tepër në kohën kur edhe çmimet nuk janë duke u zbritur por janë duke u ngritur në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.
