Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Deklaronin se i kanë votat, LVV nuk e zgjodhi kryeparlamentarin

 
   

Ndonëse disa nga deputetët e zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje u shprehën të bindur, ndërsa të tjerë optimistë për sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit, tentativa për emërimin e tij sot përfundoi pa sukses.

Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, deputetët e LVV-së në vazhdimësi deklaruan se kanë numrat e mjaftueshëm për formimin e institucioneve.

Ndër deputetët që pohuan dhe u shprehën optimist se i kanë votat e mjaftueshme për konstituimin e kuvendit janë Ejup Maqedonci, Hekuran Murati, Glauk Konjufca, Agim Bahtiri, Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla.

Pas dy dështimeve radhazi, sot në seancën konstituive kaloi raporti i komisionit të përkohshëm për betimin e deputetëve, ndërkaq dështoi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ta zgjedhur kryetare të Kuvendit, deputeten Albulena Haxhiu.

Por çfarë deklaruan anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje më parë?

“Patjetër që numrat i kemi. Ne jemi të vetëdijshëm të gjithë që Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese dhe nuk është fituese dosido”, ka thënë ish-minstri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Me votat e deputetëve të kuvendit.. Për gjitha këto është çështja e subjektit, sekretariatit të subjektit… patjetër që po [i kemi numrat e qeverisë]. 61 i kërkon kushtetuta, sa më shumë, sa ma mirë… me deputetët e Kuvendit të Kosovës”, pati thënë më 10 prill, ish-ministri në detyrë Hekuran Murati.

“Krejt çka presim është të themelohet sa më shpejtë Qeveria. Fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi”, ka thënë ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Pse po pyetni a i keni votat, pse nuk po pyetni çka po don opozita, kjo po na intereson neve… Mos me i pas votat ne nuk vijmë”, ka thënë pak para betimit deputeti i sapozgjedhur nga radhët e LVV-së, Agim Bahtiri.

“Ne sot e kemi edhe vazhdimin e seancës. Nëse opozita është gati sot të mos bllokoj vazhdimin me procedurat e parapara, jemi shumë optimist dhe të angazhuar që sot të vazhdojmë këtë seancë”, ka thënë ish-zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

“Vonim ka, s’kanë pshtim“, ka thënë ish-ministri i Ounëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar për herë të dytë ta zgjedhë Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Në votimin e zhvilluar gjatë seancës konstituive të Kuvendit, Haxhiu mori 57 vota për, 19 kundër dhe 3 abstenime, që nuk i siguroi asaj shumicën e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit.

Nënkryetari i LVV-së dhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e përsëriti nominimin në emër të partisë fituese, duke bërë thirrje për mbështetje nga deputetët.

Me këtë rast edhe u ndërpre seanca e Kuvendit, për të vazhduar të hënën prej orës 15:00